Danezët ia paguajnë aeroplanin bashkëlojtarit për të parë vajzën e porsalindur

Prishtinë | 21 Qer 2018 | 09:53 | Nga

Lojtarët e Danimarkës janë bërë bashkë në mënyrë që mbrojtësi Jonas Knudsen të kthehej në shtëpi me aeroplan privat për të parë vajzën e tij që ishte lindur pak pas fitores ndaj Perusë në ndeshjen e parë të Kupës së Botës.

Bashkëshortja e Kundsenit, Trine, lindi një vajzë disa javë më herët se që ishte pritur, ndërsa mbrojtësi ishte në Rusi, shkruan sot Koha Ditore.

Në një gjest uniteti, lojtarët vendosën të paguajnë një aeroplan privat në mënyrë që Knudsen të udhëtonte për në shtëpi pak kohë pas fitores 1:0 ndaj Perusë, në ndeshjen e Grupit C të shtunën.

“Duhet të kujtoni se ne jemi edhe qenie njerëzore pos që jemi futbollistë”, ka thënë portieri i Danimarkës, Kasper Schmeichel. “Si baba nuk mund të imagjinoj se sa e vështirë ishte për Jonasin të merrte mesazhin që është bërë baba dhe të mos ishte atje. Ka shumë baballarë në skuadër dhe donim të shihnim anën njerëzore dhe të bënim çdo gjë për të që të shihte vajzën e tij”.

Knudsen nuk ishte aktivizuar fare në ndeshjen kundër Perusë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme