“Dardanët” do t’i organizojnë mirëseardhje të ngrohtë ekipit të xhudos

Prishtinë | 30 Kor 2021 | 18:58 | Nga Ekonomia Online

Tifo grupi kosovar, “Dardanët” do t’i organizojnë një mirëseardhje të ngrohtë ekipit të xhudos kosovare që rikthehet nga Tokyo.

Xhudistët tanë morën pjesë në Lojërat Olimpike të Tokyos dhe arritën sukses historik duke fituar dy medalje të arta, falë Distria Krasniqit në kategorinë deri në 48 kilogramë dhe Nora Gjakovës në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Për këtë sukses të madh, “Dardanët” ftojnë të gjithë t’u bashkohen në Aeroportin “Adem Jashari” për ta pritur ekipin fitues të hënën.

Postimi i tyre i plotë:

Paraqitjet e tyre i dhanë ndriçim syve të milionave shtetasve kosovarë dhe shqiptarëve në përgjithësi anembanë. Falë paraqitjeve të tyre, na u zbukuruan kjo stinë e verës, duke na ngazëllyer me medaljet më të rëndësishme olimpike, ato të artat.

E pamë vetën mbi superfuqitë botërore sportive. E pamë flamurin tonë mbi të gjithë të tjerët. Për dy ditë i pamë sportistet tona mbi të gjithë në podium. Ndjenjë që nuk blihet. Krenari që nuk përshkruhet me fjalë. Falënderim që nuk mund t’ia shprehim mjaftueshëm ekipit të xhudos për aq sa e meriton.Inspirimi më nuk ka nevojë të kërkohet në skaje të botës, në kërkim të “fenomenëve” dhe kampionëve të huaj.

Tashmë, atë e kemi brend nesh dhe do ta ruajmë si thesar. Kthesë historike sportive që u mundësua fillimisht falë besimit, punës, angazhimit dhe sukseseve të Mbretëreshës së vendit, asaj që ia imponoi shteteve të tëra ta orientonin syrin nga Kosova: Majlinda Kelmendi.Milionat e azerëve, tundimet e ndryshme nga vende shumë të pasura, iu rezistoi, duke përcjellur mesazhin se përfaqësimi i Kosovës nuk është opcion rezervë, por parësor, i ndjerë me zemër dhe përgjegjësi. Përfaqësimi i vendit nuk vendoset në ankand siç po bëjnë disa futbollistë dhe basketbollistë.

Ajo u tregoi disave se nënshtrimi ndaj interesave të ngushta nuk barasvlerësohet me buzëqeshjen që mund t’ia dhurosh familjes, fisit të gjakut, qytetit të lindjes dhe tërë popullit tënd. Prandaj madhështia e saj është e përjetshme dhe për neve nuk do të vendoset kurrë në hije. Majlinda na mësoi se si duhet ta luftojmë kompleksin e inferioritetit, të mos ndihemi keq se kush jemi dhe nga vijmë. Ajo na mësoi që duhet ta ndjejmë flamurin e Kosovës dhe himnin e saj. Ajo u shndërrua në frymëzim për të gjithë shoqërinë kosovare dhe shqiptarët anëkënd. Majlinda na dha oksigjen, edhe kur ndiheshim si shoqëri të deprimuar apo në shock-terapi.Sot, lavdinë e saj vendosen ta trashëgojnë Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova. Hapave të tyre me këtë inercion do të rrugëtojnë edhe Loriana Kuka, Akil Gjakova dhe xhudistë të tjerë.Toni Kuka, pa të cilin gjithçka do të ishte e vakët, e çmojmë deri në pafundësi.

Ai, së bashku me trajnerët si Lah Limani, në disiplinat sportive luftarake dhe përgjithësisht në analet e historisë së sportit kosovar, zë vend të përjetshëm, si udhërrëfyesi i një epoke që ë shënoi, për ekipin e tij, vetën dhe posaçërisht për mbarë Kosovën.Mesazhi sublim që na dha ekipi olimpik i Kosovës me përfaqësuesit e saj nga xhudo, është se, pavarësisht vështirësive dhe rrugës me pengesa, teoria e “të pamundurës”, është vetëm teori justifikuese në letër, sepse nëse neve i përvishemi punës dhe angazhohemi për atë që synojmë të arrijmë, atëherë e prekim çdo cak.Ishin mëngjese magjike ato që na dhuruat.

Neve, si tifogrup Dardanët, si kompensim modest na mbetet t’jua organizojmë një mirëseardhje të ngrohtë, me ç’rast ftojmë bashkëqytetarët e Kosovës dhe çdo shqiptar edhe me gjerë kufijve të saj, të na bashkohen.Faleminderit që i dhatë dekorin më të bukur në botë këtij vendi: arin. Jemi të vegjël si vend, por të mbushur me ari. MIRË SE VINI NË TOKËN TUAJ!

Të ngjashme