Dardanët kënaqin me lojë, jo me rezultat – vetëm 1:0 ndaj Gjibraltarit

Prishtinë | 10 Tet 2019 | 21:57 | Nga Ekonomia Online

Kombëtarja e Kosovës është rikthyer te fitorja, pasi në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” e ka mposhtur Gjibraltarin, me rezultat 1:0. Dardanët edhe në këtë ndeshje patën përkrahjen maksimale të tifozëve, por edhe pse e mbizotëruan plotësisht lojën në fund u detyruan të kënaqen vetëm me një gol.

Kosova e nisi ndeshjen kryesisht me futbollistët që kanë pasur më pak hapësirë për lojë, teksa vazhdimisht u shfaq e rrezikshme para portës së mysafirëve, por mungoi efikasiteti. Në anën tjetër ekipi mysafir ishte plotësisht i përqendruar në mbrojtje të hekurt dhe nuk arriti për asnjë moment ta rrezikojë portën e Samir Ujkanit, i cili këtë ndeshje ishte i papunë.

Megjithatë, goli i fitores erdhi vetëm në minutën e 69-të, kur Florent Hasani, shënoi me gjuajtje të fortë brenda zonës, duke shënuar golin e tij të parë në fanellën e Kombëtares A dhe njëherësh duke e vulosur fatin e këtij ballafaqimi.

Gjithsesi, kjo ndeshje i shërbeu përzgjedhësit Bernard Challandes për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen tejet të rëndësishme kundër Malit të Zi, që zhvillohet të hënën, në të njëjtin stadium. Trajneri zviceran pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me atë çfarë treguan në përgjithësi lojtarët, por jo edhe me rezultatin.

“Nuk kam pritur ndeshje më ndryshe se kjo. E kam ditur se kundërshtari është mjaft defansivë. Normalisht se nuk jam i kënaqur me rezultatin 1-0, por në fund kjo është ajo çfarë arritëm dhe mendoj se në përgjithësi kemi bërë lojë të mirë. Nuk isha i shqetësuar për pjesën e parë që përfundoi pa gola. Ishte e nevojshme ta ruajmë kokën të qetë, të kontrollojmë ndeshjen dhe të mos hidheshim me 10 lojtarë në sulm”, ka thënë Challandes.

Të ngjashme