“Dardanët” kompletohen, Challandes nis t’i japë formë ekipit

Prishtinë | 04 Sht 2019 | 09:32 | Nga Ekonomia Online

Seleksionuesi i Kosovës, Bernard Challandes, në stërvitjen e dytë ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët në të cilët llogarit për ndeshjet eliminatore të “Euro 2020” kundër Çekisë dhe Anglisë.

Në stërvitjen e dytë që u mbajt të martën pasdite në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Challandes kishte ftuar edhe mbrojtësin e Përfaqësueses U-21 të Kosovës, Lirim Kastrati.

Ky i fundit do të stërvitet me Përfaqësuesen A deri të premten për t’iu përshtatur skemave stërvitore të Challandesit për t’u kthyer pastaj me ekipin e Shpresave, shkruan sot Koha Ditore.

Për dallim prej stërvitjes së parë, ku munguan tetë futbollistë, në stërvitjen e dytë Challandes i kishte të gjithë në dispozicion dhe ka provuar disa variante për të kompensuar mungesën e pesë lojtarëve të lënduar për këto dy ndeshje.

Kosova më 7 shtator e pret në shtëpi Çekinë kurse tri ditë më vonë është mysafire e Anglisë.

Në këto përballje do të jetë pa Arbër Zenelin, Milot Rashicën, Hekuran Kryeziun, Benjamin Kolollin e Herolind Shalën.

Challandes pas nxehjes që e kryen futbollistët, ka marrë një tabelë të cilën e vendosi në mes të fushës. Ai ftoi të gjithë futbollistët për t’iu dhënë shpjegime në tabelë përpara se ata të luanin në një portë dhe pastaj në dy porta në gjysmën e fushës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme