“Dardanët” nga Superliga shpresojnë ta shfrytëzojnë rastin

Prishtinë | 11 Jan 2020 | 08:58 | Nga Ekonomia Online

Golashënuesi më i mirë i Superligës, Blend Baftiu, beson se miqësorja me Suedinë, është rasti i tij për t’u dëshmuar para seleksionuesit të Kosovës, Bernard Challandes. Ai pret që edhe pas miqësores me Suedinë, që luhet të dielën në Doha të Katarit, të ftohet në përfaqësuese.

Sulmuesi i Ballkanit të Suharekës, është një nga 13 lojtarët e Superligës të ftuar për këtë ndeshje.

Ai pas stërvitjes të së premtes, u shpreh i lumtur dhe me grupin pret rezultat të mirë ndaj përfaqësueses skandinave, shkruan sot Koha Ditore.

“Është një ndjenjë e veçantë dhe e papërshkrueshme, por njëherësh edhe përgjegjësi të jesh pjesë e Kombëtares A. Është hera e parë për mua që kam marrë ftesë nga përzgjedhësi Challandes dhe po ndihem shumë mirë në mesin e bashkëlojtarëve. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, prandaj besoj që do të kemi paraqitje të mirë kundër Suedisë”, është shprehur Baftiu. “Të gjithë lojtarët janë të motivuar dhe angazhimi i secilit në stërvitje është maksimal. Për këtë arsye pres që të kemi një prezantim sa më të mirë në ndeshjen e së dielës. Synimi im është që edhe në të ardhmen të jem pjesë e Kombëtares A”.

Përfaqësuesja e Kosovës ka vazhduar me seancat stërvitore në Doha të Katarit ku po e mban grumbullimin e parë të këtij viti. Për dallim prej ditës së parë, së enjtes, ku mbajti dy seanca stërvitore, të premten përzgjedhësi Bernard Challandes ka mbajtur vetëm një. Ishte stërvitja e parafundit, e fundit zhvillohet të shtunën (sot).

Stërvitja e së premtes, sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ka “nisur me ushtrimet e zakonshme fizike, vrapim dhe lojë në hapësirë të vogël me pasime të shpejta”. Pas kësaj, përzgjedhësi Challandes ka punuar në skemat taktike dhe lojën me presion të lartë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme