“Dardanët” nisin intensivisht përgatitjet për ndeshjen me Suedinë

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 09:58 | Nga Ekonomia Online

E mërkura e humbur për stërvitje është pasuar nga një ditë tejet e ngarkuar për futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës.

Përfaqësuesja, të enjten, ka mbajtur dy stërvitjet e para në Doha, ku të dielën do të luajë ndeshjen miqësore me Suedinë. Përzgjedhësi Bernard Challandes paradite dhe pasdite ka punuar me futbollistët, pjesa dërrmuese e të cilëve janë ftuar për herë të parë në Përfaqësuese.

Challandes ka pasur të gjithë futbollistët në dispozicion dhe ka provuar skema të ndryshme.

Kosova para duelit me Suedinë do t’i mbajë vetëm edhe dy seanca stërvitore, një të premten (sot) dhe një të shtunën. Përfaqësuesja ka mbajtur dy stërvitje të enjten, meqë stërvitja e planifikuar për të mërkurën është anuluar për shkak të mbërritjes me vonesë të ekipit në kryeqendrën e Katarit, Doha.

Ndeshja do të zhvillohet të dielën (12 janar) dhe nis në orën 15:45, sipas kohës në Kosovë.

”Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar seancat e para stërvitore në Doha të Katarit në kuadër të përgatitjeve për miqësoren kundër Suedisë, e cila do të zhvillohet më 12 janar në orën 17:45 (sipas orës lokale në Doha). Përzgjedhësi Bernard Challandes në këtë grumbullim ka ftuar 25 futbollistë, prej të cilëve 13 nga elita e futbollit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Të ngjashme