“Dardanët” të gatshëm për ndeshjen vendimtare

Prishtinë | 14 Tet 2019 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Kosovës i është vështirësuar rruga drejt kampionatit evropian të vitit të ardhshëm. Por te Kosova janë të përkushtuar që të kërkojnë kualifikimin deri në fund. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i ka tri finale deri në fund të kualifikimeve dhe “dardanët” do t’i marrin ato një nga një.

Fillimisht i gjithë fokusi është te ndeshja ndaj Malit të Zi, që zhvillohet të hënën (sot) nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Vetëm fitorja e mban Kosovën në garë për kualifikim nga grupi A, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mundësia e kualifikimit të Kosovës në tentimin e parë në Evropian është zvogëluar të premten pas fitores 2:1 të Çekisë ndaj Anglisë. Është pritur fitore e Anglisë, por kjo nuk ndodhi. Tani Çekia i ka katër pikë më shumë se Kosova, por edhe një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Nëse Kosova, ashtu si shpresohet, fiton ndaj Malit të Zi, atëherë e presin edhe dy ndeshje vendimtare në nëntor. Më 14 nëntor në Plzen takohen Çekia e Kosova, ndërsa më 17 nëntor në Prishtinë takohen Kosova e Anglia.

Kosova e ka edhe rastin rezervë për kualifikim, përmes Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme