De Biasi nderohet nga Italia

Prishtinë | 08 Shk 2017 | 10:32 | Nga

Në prani të shumë personaliteteve dhe diplomatëve, trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi u vlerësua nga shteti italian me “Urdhrin e Yllit të Italisë”, i cili iu dorëzua nëpërmjet ambasadorit të Italisë në Tiranë, Alberto Kutilo.

“Nuk është trajneri ai që bën golat, por De Biasi arriti para nesh, para politikës, që të çojë Shqipërinë në Paris në Evropianin e futbollit, ku Shqipëria dha një demonstrim fantastik të aftësive të saj jo vetëm në futboll. Do të mjaftonte ky i fundit për të justifikuar çmimin mëse të merituar”, tha ambasadori italian.

I emocionuar është shfaqur De Biasi në fjalën falënderuese për këtë vlerësim: “Jam i lumtur dhe i emocionuar sepse titulli kavalier nuk është i lehtë të mbahet, aq më tepër që jep përshtypjen e një të moshuari. Por, jam krenar, pasi përfaqëson një urë mes dy kombeve, që, sipas meje, janë pranë. Kemi në mes një det që na ndan, por një det që kalohet lehtësisht, kemi mentalitete që ngjasojnë dhe uroj që raportet të jenë gjithmonë bashkëpunues”.

Po kaq entuziast dhe vlerësues për trajnerin e përfaqësueses sonë është shprehur në fjalën e tij edhe kryeministri Edi Rama.

“Kur Konte la kombëtaren e Italisë, pata frikë edhe pse doja si tifoz që ai të zëvendësohej nga dikush me nivel, kisha frikë se ai dikush mund të ishte De Biasi. Më pas, gjërat shkuan sipas rrjedhës dhe unë jam i lumtur që kemi një trajner më të mirë se kombëtarja e Italisë”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, dëshirën e kryeministrit që De Biasi të vazhdojë ende në pankinën e Shqipërisë edhe në Evropianin e ardhshëm e frenon presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka: “Kryeministri di shumë më mirë punët e politikës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme