“De Biasin e shaj sa herë e takoj”, Altin Lala: Me Rashicën do të ishim në çerekfinale të Evropianit

Prishtinë | 16 Pri 2020 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Altin Lala vijon të shprehet kundër ish-trajnerit Gianni De Biasi për vendimin e këtij të fundit për të mos grumbulluar për Europianin, Milot Rashicën.

Ish-mesfushori i Kombëtares sonë është menaxheri i lojtarit Kosovar dhe në një intervistë të dhënë për emisionin Interaktiv ka treguar se si e kritikon sa herë e takon Italian.

Lala shkon larg dhe pa iu dridhur syri shprehet se me Rashicën në formacion, kuqezinjtë do të kishin shkuar deri në çerekfinalen e Europianit.

“Nëse Rashica do të merrej në Europian, nuk do të kishte më mundësinë që të shkonte te Kosova. Kur nuk e mori Shqipëria, unë i thashë Milotit që vendos me zemër. Ne të gjithë e duam Shqipërinë dhe Kosovën se jemi një. Në të ardhmen shpresojmë që të luajmë për një Kombëtare. Që të luajmë të gjithë bashkë.Nuk kam lënë gjë pa i thënë kur e la jashtë Rashicën, nuk mund t’i them këtu në televizor, e kam sharë. Miloti ishte në atë kohë shumë mirë, madje kam menduar që jo vetëm do të grumbullohej në Europian, por edhe do të luante aty. Isha shumë i surprizuar me atë vendim për ta lënë jashtë.Në atë moment ishte lojtari më i mirë që kishte shqiptaria duke parë golat që kishte bërë te Vitese. Për më tepër duke parë Shqipërinë që luante me stilin italian të mbrojtjes, me një lojtar të shpejtë si Miloti, do të shkonte në çerekfinale. Ishte një vendim i gabuar”, tha ai.

“Po e kam takuar De Biazin edhe në Shqipëri kur luajtëm me Greqinë, Italinë dhe Turqinë për të ndihmuar njerëzit që u prekën nga tërmeti. E takova dhe prapë e shava, sa herë e takoj vetëm e shaj. Sigurisht që me shaka dhe i them që nuk merr vesh nga futbolli, nga futbolli i luajtur në sulm gjithmonë se me mbrojtjen është mirë ai”, u shpreh ish kapiteni i kombëtares shqiptare.

Të ngjashme