De Bruyne nuk do të kënaqet derisa të jetë më i miri

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 13:17 | Nga

Kanë kaluar njëzet vjet që kur Jan van Troos ishte ulur, në një mot me shi në një pasdite të shtunën, për të shikuar një informatë që kishte marrë për një gjashtëvjeçar në fshatin Drongen.

Skauti nuk e dinte emrin e djaloshit, por shpejt u bë e qartë se cili ishte fëmija, kur fëmija me flokë biondë nisi të pasonte topin në ato fusha.

“Ishte forca në këmbët e tij kur pasonte topin”, ka thënë Van Troos, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”. “Lojtarët më të mirë që sheh në atë moshë nuk janë gjithmonë ata që driblojnë tre apo katër lojtarë. Ai ushtronte aq shumë forcë në top në atë fushë që ishte mbushur me ujë, pavarësisht nëse ishte një pasim i gjatë mbi 20 metra apo një pasim i shkurtër dy metra. Ishte mjaft i vogël. Kishte djem dukshëm më të mëdhenj se ai. Ishte gjëja e parë që pash te ai. Tjetra ishte fakti se ishte plotësisht i çmendur për lojën. Ishte vetëm një gjë në kokën e tij, që të luante futboll”.

Ai ende pason topa në këmbët e bashkëlojtarëve të tij, ndonëse këto ditë Kevin De Bruyne performon në fusha më të mira, duke ndriçuar arenat e garave më prestigjioze. Ai do të garojë me Mohamed Salahun e Liverpoolit këtë stinor për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit në Premier League.

Ëndrra e tij për të fituar Ligën e Kampionëve është në dyshim pas humbjes 3:0 nga Liverpooli, skuadra të cilën e kishte përkrahur si fëmijë, në ndeshjen e parë në “Anfield”.

Askush nuk mohon mundësinë e kthimit të Manchester Cityt, por do të jetë sfida më e madhe e De Bruynes deri më tash. Djaloshi i artë është në stinorin e artë, një stinor që ka ndërtuar që kur Van Troos e gjeti atë dhe e bindi t’i bashkohej skuadrës së të rinjve të KAA Gent.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme