De Jong: Plani i Setienit është i njëjtë me atë të Valverdes

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 11:18 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i Barcelonës, Frenkie de Jong, ka thënë se trajneri i ri, Quique Setien, nuk i ka kërkuar të bëjë asgjë të veçantë, duke shtuar se idetë e tij janë të njëjta me ato të trajnerit paraprak – Ernesto Valverde, pasi që janë pjesë e filozofisë së Barcelonës.

Pas dështimit të Barcelonës në Superkupën e Spanjës, në gjysmëfinale kundër Atletico Madridit, katalonasit e shkarkuar Ernesto Valverden dhe e emëruan Quique Setienin, ish-trajnerin e Real Betisit.

Përkundër që Barcelona e bëri këtë gjë me shpresën se skuadra do të shënojë ndryshime dhe do të përmirësohet, mesfushori holandez ka thënë se dy trajnerët e ndajnë të njëjtën filozofi të lojës.

“Setieni s’më kërkon të bëjë ndonjë gjë të veçantë”, ka thënë De Jongu.

“Ideja e tij është e njëjtë me atë të Valverdes sepse është ideja e Barcelonës… ideja e posedimit të topit. Ai ka ndryshuar vetëm detaje të vogla, por qëllimi i tij është ta mbajmë topin”.

Barcelona është ende në garë për tri trofe – La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve – por De Jong e ka veçuar trofeun e Ligës së Kampionëve si më të dëshiruarin për vete.

Pasi është kualifikuar në fazën eliminatore si fituese e grupit këtë sezon, Barcelona do të përballet me Napolit në fazën e 1/8 të finales në garën më prestigjioze të futbollit në Evropë.

“Unë dua t’i fitoj të gjithë titujt. Por, nëse duhet ta zgjedh një, do ta zgjedhja Ligën e Kampionëve. Megjithatë, unë dua ta fitoj edhe La Ligën dhe Kupën e Mbretit”, tha De Jongu, gjatë një eventi promovues në Barcelonë.

Ish-mesfushori i Ajaxit arriti në Spanjë verën e kaluar dhe edhe pse ai është përshtatur me ambientin e ri, De Jongu beson se ai, por edhe bashkëlojtarët e tij, kanë nevojë për përmirësime.

“Duket se jam përshtatur lehtësisht dhe jam i lumtur, por e di se mund të bëj punë edhe më të mirë”, theksoi De Jong.

“Unë gjithashtu besoj se ne mund të përmirësohemi si skuadër dhe do të bëhemi gjithnjë e më të mirë përgjatë sezonit”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme