De Ligti s’është gati të vendosë për të ardhmen

Prishtinë | 16 Maj 2019 | 09:27 | Nga Ekonomia Online

Po kërkohet nga Barcelona dhe disa klube të tjera nga Premierliga, por kapiteni i Ajaxit, Matthijs de Ligt, nuk është ende gati për ta vendosur hapin e radhës që do ta marrë për të ardhmen e karrierës së vet.

Matthijs de Ligt, 19-vjeçar, pritet të largohet nga Ajaxi, që u shpall kampion i ligës holandeze të mërkurën – sapo të përfundojë sezoni.

Qendërmbrojtësi ka qenë i përfolur për transferim të mundshëm në klube si Barcelona, Liverpooli, Manchester Unitedi dhe Bayern Munichu.

Por, pas fitores me rezultat 4:1 të Ajaxit kundër De Graafschap, e cila ia siguroi titullin e kampionit të ligës holandeze për herë të parë që nga viti 2014, De Ligti tha se i duhet ende kohë për të vendosur për të ardhmen e tij.

“Ky nuk është momenti i duhur për të biseduar për të ardhmen. Nuk e di nëse do të shkojë me Frenkie de Jongun në Barcelonë”, ka thënë De Ligti për Fox Sports.

“Unë duhet ende t’i analizoj të gjitha gjërat. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Nuk mund të them asgjë. Do ta shohim në fund të verës. Ende nuk ka asgjë”.

Klubi holandez arriti të përfitojë nga yjet që aktualisht i ka në skuadër, pasi e siguroi titullin e ligës holandeze Eredivisie. Këtë sezon, ata e kanë fituar edhe Kupën e Holandës, si dhe shkuan deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

“Është e papërshkrueshme. Ne kemi qenë duke e kërkuar një sukses të tillë që pesë vjet. E kam shijuan kupën, garën, Ligën e Kampionëve dhe veçanërisht shpirtin e skuadrës”, shtoi De Ligti. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme