Delijaj i vendosur të përfitojë prej mundësisë së madhe

Prishtinë | 09 Qer 2019 | 12:25 | Nga Ekonomia Online

Ardit Delijaj është një nga tre boksierët që ka përfituar nga vendimi që gara e boksit në lojërat evropiane “Minsk 2019” të vlejë edhe si kampionat evropian i boksit për seniorë për vitin 2019.

Delijaj së bashku me Shpëtim Bajokun e Patriot Behramin janë boksierët që kanë marrë ftesë për të prezantuar vendin në ngjarjen më të madhe shumësportëshe evropiane të vitit. Lojërat e dyta Evropiane mbahen prej 21 deri më 30 qershor në kryeqendrën e Bjellorusisë, ndërsa Ardit Delijaj është i vendosur të përfitojë maksimalisht prej mundësisë së ofruar, shkruan sot Koha Ditore.

22-vjeçari nga Peja në fakt ka pritur që të përfaqësojë vendin në Lojërat Evropiane. “Pas një rruge të gjatë deri këtu, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e suksesshme në turneun ndërkombëtar `Istvan Bocskai’ në Debrecen të Hungarisë, ku u rendita i dyti duke i sjellë vendit tonë medaljen e argjendtë, mund të them se e kam pritur pjesëmarrjen në Lojërat Evropiane.

Mendoj se është një mundësi e mirë si për mua, ashtu edhe për shtetin e Kosovës dhe për sportistët e vendit. Synimi im është të përfaqësoj vendin në mënyrë sa më të denjë. Pra synoj që t’i sjell shtetit medalje, dhe pas punës shumëvjeçare që kam bërë të tregoj cilësitë e boksit kosovar”, ka thënë Delilaj në një bisedë për gazetën.

Medalja eventuale në Minsk do të kishte vlerë të dyfishtë për boksierin e kategorisë deri 81 kilogramë. Do të vlente si medalje e Lojërave Evropiane, por edhe e kampionatit evropian të boksit.

Një medalje me vlerë të dyfishtë ka fituar xhudistja Nora Gjakova katër vjet më parë në Baku, në edicionin e parë të Lojërave Evropiane dhe në ngjarjen e parë shumësportëshe ku Kosova mori pjesë.

Nora kishte fituar medalje të bronztë, ndërsa ajo ishte e vetmja e Kosovës. Edhe në Minsk medaljet priten prej xhudistëve, por edhe boksierët kanë planet e synimet e tyre.

Në boks, Kosovën e përfaqëson edhe Donjeta Sadiku. Ekipi i Kosovës përbëhet nga pesë xhudistë, katër boksierë, një karateist, një pingpongist dhe një shigjetare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme