Derbi në Drenas, Feronikeli pret Llapin

Prishtinë | 01 Pri 2018 | 09:44 | Nga

Java e 25-të në elitën e futbollit kosovar do të përmbyllet me tri ndeshje shumë interesante.

Padyshim që vëmendja e adhuruesve të futbollit në Kosovë do të jetë në Drenas ku do të takohen skuadrat e pjesës së epërme të tabelës.

Feronikeli dhe Llapi do të përballen me njëra tjetrën ku gabimi nuk ju lejohet pasi do të mbeteshin shumë mbrapa liderit Dritës.

Aktualisht si Nikli ashtu edhe Llapi kanë nga 38 pikë dhe fitorja eventuale e njërës skuadër do t’i fuste në garë për titullin e kampionit.

Në këtë takim për Feronikelin do të debutoj trajneri i njohur nga Shqipëria, Starova.

Gjilani nuk po kalon momente të mira pasi ka krizë të rezultateve ku në dy ndeshjet e fundit ndaj Flamurtarit dhe Besës ka dështuar t’i marrë pikët e plota.

Skuadra e drejtuar nga Arbnor Morina do ta mirëpres Vllaznin e Pozhoranit në stadiumin e qytetit.

Një hap fals për Gjilanin do të ishte shumë i gabuar pasi do të rrezikonin të mbesnin në barazh.

Ndërkohë Vllaznia e cila është e fundit në tabelë nuk ka se çfarë të humbas dhe synon të befasojë ‘Skifterat’.

Ndeshja e fundit por jo nga rëndësia e ditës së diel është ajo mes Trepçës ’89 dhe Drenicës.

Kampioni në fuqi i Kosovës ka mbetur 11 pikë mbrapa Dritës dhe vetëm fitorja do ta rikthente në pjesën e epërme të tabelës.

Ndërkohë Drenicasit pas fitores ndaj Prishtinës synojnë që ta befasojnë edhe skuadrën e Gugash Maganit.

Të tria ndeshjet do të fillojnë nga ora 14:00.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme