Detajet e fundit lidhur me hetimet për shitjen e biletave për ndeshjen Kosovë – Angli

Prishtinë | 21 Nën 2019 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore e Prishtinës, është ende në fazën fillestare të hetimeve lidhur me dyshimet për shitjen e biletave për ndeshjen mes Kosovës dhe Anglisë e zhvilluar të dielën në “Fadil Vokrri”.

Gazeta Sinjali ka pyetur zyrën për media të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, lidhur me hetimet e zhvilluara deri më tani, por që Laureta Ulaj, zyrtare për informim ka thënë se janë ende në fazën e grumbullimit të informatave.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, për rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë në fazën e grumbullimit të informatave, dhe se rasti është në fazën e zhvillimit të procesit hetimor”, thuhet në përgjigje për Gazetën Sinjali.

Fillimisht nga FFK ishte paralajmëruar që më 12 nëntor do të dalin në shitje biletat për ndeshjen mes Kosovës dhe Anglisë, por që ueb faqja e saj nuk kishte qenë e qasshme për personat që dëshironin ta përcjellin këtë ndeshje nga ulëset e “Fadil Vokrrit”.

Përkundër kësaj disa persona kishin arritur që të blinin bileta për këtë ndeshje. Në anën tjetër edhe platforma “tiks.app” që ishte e ngarkuar për shitjet e biletave kishte dalur në opinion me kontradita. Fillimisht kishte thënë se ka mbingarkesë të vizitorëve e më pas kishte thënë se ka pasur sulme kibernetike.

FFK dhe Tiks.app kishin paralajmëruar vetëm dy ditë para ndeshjes se biletat do të dalin përsëri në treg, por që përsëri kishte pasur probleme për tifozët që kishin kërkuar të blinin të paktën një biletë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme