Diani bëhet futbollistja e dytë më e paguar në botë

Prishtinë | 05 Maj 2020 | 09:40 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesja e Paris Saint-Germainit, Kadidiatou Diani, ka nënshkruar kontratë të re me klubin, duke u bërë kështu futbollistja e dytë më e paguar në botë, vetëm pas fitueses së Topit të Artë të vitit 2018, Ada Hegerberg.

Sulmuesja 25-vjeçare nënshkroi kontratë trevjeçare të hënën, duke ia përkushtuar të ardhmen e vet Paris Saint-Germainit, përderisa refuzoi një ofertë nga rivali i klubit, Lyoni.

Rinovimi i kontratës së Dianit nuk është e vetmja marrëveshje e madhe e arritur nga PSG-ja, pasi që ata arritën ta bindin edhe Nadia Nadimin të nënshkruajë kontratë të re për të qëndruar në Paris edhe për një vit tjetër.

Pasi e arriti këtë marrëveshje me gjigantin francez, Diani u shpërblye me ngritje page dhe tani do të paguhet 30 mijë euro në muaj – të njëjtën ofertë ia kishte bërë edhe Lyoni.

Diani vendosi të mos e ndryshojë klubin të cilin e përfaqëson pasi që preferon të jetojë në Paris, përderisa në vendimin e saj ndikoi edhe fakti që drejtori sportiv i klubit, Leonardo, e thirri personalisht për t’ia kërkuar këtë. /Gazeta Express/

Të ngjashme