Diego Costa ndëshkohet me tetë ndeshje moslojë

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Atletico Madridit, Diego Costa, është ndëshkuar me tetë ndeshje mos-lojë pasi u shpall fajtor për abuzim ndaj gjyqtarit.

Ish-sulmuesi i Chelseat, 30 vjeç, u largua me të kuq nga zyrtari Jesus Gil Manzano gjatë ndeshjes ndaj Barcelonës në La Liga, ndeshje të cilën e humbën 2-0, raporton BBC.

Manzano tha në raportin e tij të ndeshjes se përfaqësuesi i Spanjës ia kishte “ofenduar nënën”, një pretendim që Costa e ka mohuar.

Ndalesa nga Federata Spanjolle e Futbollit e përjashton atë nga të gjitha ndeshjet e Atleticos këtë sezon në La Liga.

Costa, i cili mund ta apelojë vendimin, u ndëshkua me katër ndeshje mos-lojë për ofendim ndaj gjyqtarit dhe katër të tjera se ia kishte kapur krahun zyrtarit.

“E pyeta referin dhe ai më tha se Costa i kishte thënë diçka”, tha menaxheri i Atleticos, Diego Simeone, pas ndeshjes.

“Edhe lojtarë tjerë kanë thënë gjëra dhe nuk janë përjashtuar, por kjo s’e arsyeton veprimin e Costas”.

Atletico aktualisht janë 11 pikë prapa liderëve të ligës, Barcelonës, në vendin e dytë, me 7 ndeshje të mbetura.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme