Disiplinori i FFK-së ende pa vendim për arbitrin e pezulluar për fyerje ndaj Kurtit

Prishtinë | 18 Pri 2020 | 17:12 | Nga Ekonomia Online

Më 26 mars arbitri i futbollit, Qëndrim Vata ishte pezulluar për shkak të një deklarate në rrjete sociale, përkatësisht për fyerje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Vendimin për pezullim e kishte marrë Komisioni i Gjyqtarëve të FFK-së, që drejtohet nga Përparim Hasani. Por deri të shtunën masa e pezullimit ka mbetur në fuqi, pa vendim përfundimtar lidhur me rastin e hapur, raporton Koha.net.

Në njoftimin e lëshuar nga FFK-ja më 26 mars, thuhej se “Komisioni i Gjyqtarëve lëndën e këtij rasti e delegon te Komisioni Disiplinor i FFK-së, ku do të kërkohet edhe deklarata e të lartpërmendurit”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, arbitri i pezulluar e kishte krahasuar Kurtin me diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong-Un. Përmes një fotomontazhi, arbitri Vata kishte kombinuar fytyrën e Kurtit me flokët dhe veshjen e Kim Jong-Unit. Ai ishte arsyetuar duke thënë se i është thyer fjalëkalimi dhe se nuk qëndron prapa postimit.

Por procedura ndaj tij megjithatë u hap.

Koha.net ka mësuar se lënda as që është proceduar në Disiplinor nga Komisioni i Gjyqtarëve. Sipas njoftimit të FFK-së, Disiplinori duhet të marr vendimin. Në faqen zyrtare të FFK-së nuk ka njoftim tjetër për rastin.

Kishte bërë bujë vendimi i Komisionit të Gjyqtarëve, por që gradualisht mbeti në harresë. Për Koha.net ishte deklaruar edhe vet kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

”Nuk i di rregullat organizative të federatës, mirëpo qëndrimi im është se askush nuk duhet të ketë pasoja prej shprehjes së lirë. Mirë është që shprehja e lirë të jetë edhe shprehje e mirë, mirëpo ajo është çështje e ndërgjegjes së gjithkujt. Arbitri Vata është në të drejtën e tij si qytetar të kritikojë dhe të mos e pëlqejë fare kryeministrin e Kosovës. Ne nuk jemi duke ndërtuar një shoqëri ku ndalohet kritika ndaj kryeministrit apo cilitdo tjetër, por një shoqëri të lirive e të drejtave demokratike”, kishte thënë kryeministri në detyrë, Kurti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme