Dita e fundit e afatit kalimtar

Prishtinë | 31 Gus 2016 | 19:04 | Nga

Zyrtarisht, afati i transferimeve mbyllet sonte në orën 00:00. Portali Koha.net do t’ju sjell gjitha transferimet e mundshme në ligat më të njohura të futbollit.

18:55 – Juve zyrtarizon Cuadradon

Juventusi ka zyrtarizuar transferimin e Juan Cuadrados në formë huazimi nga Chelsea me marrëveshje që obligon blerjen e tij pas një numri të caktuar ndeshjesh. Detajet


18:12 – Mangala te Valencia

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Eliaquim Mangala, ka kaluar në formë huazimi te Valencia.


18:03 – “Sky”: Wilshere ka vendosur për Bournemouthin

“Sky Sports” raporton se mesfushori i Arsenalit ka vendosur për të ardhmen e tij. Lojtari do të largohet në formë huazimi drejt Bournemouthit duke refuzuar Romën, Milanin, Crystal Palacen e shumë skuadra të tjera. Tani pritet konfirmimi nga klubet.


17:58 – Zyrtare: Marcos Alonso kalon te Chelsea

Fiorentina ka konfirmuar shitjen e mbrojtësit Marcos Alonso te Chelsea. Detajet


17:50 – Zyrtare: Stoke City transferon Martins Indin


Stoke City ka konfirmuar transferimin e mbrojtësit Bruno Martins Indi nga Porto. Klubi anglez ka njoftuar se Indi ka kaluar te Stoke në formë huazimi për një sezon me mundësi blerjeje në fund.


17:08 – Galata konfirmon De Jongun

Galatasaray ka konfirmuar transferimin e mesfushorit Nigel De Jong nga Los Angeles Galaxy. Lojtari do të jetë pjesë e gjigantit turk në dy sezonet e ardhshme.


16:49 – Interi mohon largimin e Jovetiqit

Pas raportimeve se Stevan Jovetiq është afër largimit nga Interi, këtë e ka mohuar drejtori sportiv i klubit Piero Ausilio. Ai ka deklaruar se sulmuesi nuk do të largohet në asnjë mënyrë në ditën e fundit të afatit kalimtar. “Jovetiq, ishte dhe do të mbetet futbollist i Interit”, ka thënë ai për “Inter1908”.


16:19 – Luiz drejt rikthimit te Chelsea

David Luiz raportohet se shumë shpejt do të zyrtarizohet te ish-skuadra e tij Chelsea. Braziliani, sipas Sky Sports, është në bisedime të avancuara për kthim në Angli duke u larguar nga PSG. Chelsea thuhet se do të paguajë 30 milionë funte për lojtarin që e shiti 50 milionë funte dy vjet më parë.


16:11 – Gnabry i Arsenalit ka kaluar zyrtarisht te Werder Bremeni. Detajet –


15:44 – Sot pritet të vendoset fati i mesfushorit të Newcastle Unitedit, Moussa Sissoko. L’Equipe raporton se Chelsea ka hyrë në garë për të, duke ofruar 30 milionë euro, por francezi preferon kalimin te Tottenhami, klub që mund t’ia sigurojë Ligën e Kampionëve.

15:25 – Manchester City ka konfirmuar se Samir Nasri është transferuar te Sevilla.

Francezi mbrëmë kishte udhëtuar për në Spanjë për të kryer testet mjekësore, para se të zyrtarizohej si i huazuar te Sevilla.


14:52 – Stevan Jovetiq raportohet se është “një hap larg” transferimit te Milani.

Sport italia raporton se sulmuesi malazez është afër transferimit te rivali lokal i Interit, por nuk dihet forma e transferimit të tij.


14:24 – Florentin Pogba mund të bashkohet me vëllanë e tij, Paulin, në Premier Ligë. Qendërmbrojtësi i Saint-Etienne është duke u kërkuar me ngulm nga Sunderlandi në orët e fundit të afatit kalimtar.
Sunderlandi dëshiron transferimin e tij si zëvendësues i Lamine Kone, i cili pritet të kalojë te Evertoni.


14:17 – Wilfried Bony është huazuar te Stoke City deri në fund të këtij sezoni. Sulmuesi ka arritur të sigurojë largimin nga Manchester City pas qëndrimit jo fort të suksesshëm te “Qytetarët”.


13:07 – Joe Hart edhe zyrtarisht i është bashkuar Torinos në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni. Për anglezin ishin të interesuara një numër i madh i klubeve në Premier Ligë, por 29-vjeçari vendosi transferimin në Torino.


13:39 – Tottenhami do të bëjë tentimin e fundit për transferimin e Morgan Schneiderlinit nga Manchester Unitedi.

Menaxheri i londinezëve Mauricio Pochetino pritet të ofrojë 27 milionë funte për mesfushorin francez.


12:30 – Klubi i St.Galleni ka konfirmuar transferimin e sulmuesit shqiptar Albian Ajeti. 19-vjeçari është huazuar te klubi zviceran nga Augsburgu i Gjermanisë deri në fund të këtij sezoni.


12:19 – Mario Balotelli pritet që gjatë orëve të ardhshme të kompletojë huazimin te Nice.

26-vjeçari, i cili realizoi vetëm katër gola në 28 paraqitje për Liverpoolin, pritet të huazohet te klubi francez, pas sezonit zhgënjyes si i huazuar te Milani.


12:04 – Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Xhimshiti është huazuar te Avelino.


11:52 – Jack Wilshere raportohet se u ka thënë shokëve se dëshiron huazimin te Bournemouthi – para Crystal Palacet e klubeve jashtë Anglisë.

Anglezi është takuar me menaxherin e Bournemouthit, Eddie Howe dhe është mahnitur me vizionin dhe stilin e lojës së tij. Për anglezin interesim ka shprehur edhe Milani.


11:41 – Marcos Alonso pritet të arrijë në Londër për të kryer testet mjekësore me Chelsean.
Fiorentina është pajtuar që ta shesë mbrojtësin spanjoll për 27 milionë euro.


11:35 – Në garë për shërbimet e mesfushorit anglez, Jack Wilshere, ka hyrë edhe Milani.
Klubi italian dëshiron anglezin në formë huazimi, me mundësi blerje për 30 milionë funte verën e ardhshme.


11:30 – PSG-ja pritet të bëjë befasinë e orëve të fundit të afatit kalimtar. Klubi francez, raporton The Sun, ka bërë gati 50 milionë euro për transferimin e Karim Benzemas nga Real Madridi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme