Doktori i ekipit kombëtar të Brazilit: Neymar do të mungojë 3 muaj

Prishtinë | 01 Mar 2018 | 15:24 | Nga

Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Neymar, pritet të jetë jashtë fushës së lojës për tre muaj pasi t’i nënshtrohet operacionit në ashtin e thyer në shputën e këmbës, sipas doktorit të ekipit kombëtar të Brazilit.
Rodrigo Lasmar, i cituar nga uebsajti i gazetës braziliane “O Globo”, ka thënë se futbollisti më i shtrenjtë në botë ka pranuar të operohet dhe të mungojë kaq gjatë. 26-vjeçari u bart me barelë jashtë fushe nëntë minuta para përfundimit të ndeshjes që PSG e fitoi 3-0 ndaj Marseille të dielën, transmeton Express.

“Neymar ka pësuar thyerje në ashtin e pestë në shputën e këmbës. Është thyerje e rëndësishme në ashtin e shputës. Operacioni do të kryhet në Belo Horizonte të shtunën në mëngjes, dhe [Neymarit] do t’i duhen dy muaj e gjysmë deri në tre për ta rimarrë veten”, ka thënë Lasmar.

“Neymar është i pikëlluar, por e kupton se nuk ka zgjidhje tjetër. Tani, ai do të përkushtohet për t’u shëruar sa më shpejt që të jetë e mundur. Do ta bëjmë më të mirën për ta përgatitur atë sa më shpejt”, shtoi ai.

Mungesa e Neymarit do të thotë se ai do ta humbasë pjesën e mbetur të sezonit me PSG-në, dhe do të rikthehet në stërvitje pak javë para Kupës së Botës në Rusi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme