“Dominimit të Ronaldos dhe Messit po i vjen fundi”

Prishtinë | 10 Maj 2020 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Çdo fillim e ka edhe një mbarim, kështu natyrisht se pritet të ndodhë edhe me Messin dhe Cristianon.

Pas shumë viteve në skenë, duke dominuar, duke thyer rekorde historike, duke shkelur këdo që i del para, duke dhënë spektakël në fushë si pothuajse askush më parë, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo po shkon drejt fundit të karrierës së tyre.

Këtë e mendon ish trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger.

Ai beson se po i vjen fundi dominimit të L10 dhe CR7 për më shumë se një dekadë, ku së bashku kanë fituar 11 ‘Topa të Artë’, 10 ‘Këpuca të Arta’ dhe shumë çmime tjera të UEFA-s, FIFA-s dhe në ligat ku ata kanë luajtur.

“Kurrë nuk kemi parë lojtarë si Messi dhe Cristiano Ronaldo që mund të krijojnë gjithçka në çdo situatë të vështirë, por mbretërimit të tyre po i vjen fundit”, tha Wenger.

Ronaldo, 35 vjeçar, ka shënuar mbi 700 gola në karrierë me Portugalinë dhe klubet ku ka luajtur, derisa Messi, që më 30 qershor mbush 33 vjet, ka shënuar 698 gola me Argjentinën dhe Barcelonën.

Këto shifra tregojnë më së miri se sa shumë i kanë dhënë ata futbollist ndër vite dhe se padyshim, do të jenë atje në maje pasi t’i varin atletet, si më të mirët në histori të futbollit.

Të ngjashme