Dortmundi mposht Wolfsburgun, vazhdon t’i bëjë presion Bayernit para derbit të madh

Prishtinë | 23 Maj 2020 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Borussia Dortmundi arriti t’i marrë tre pikët e radhës në Bundesligë përmes fitores me rezultat 2:0 kundër Wolfsburgut, që e mbylli ndeshjen me dhjetë lojtarë në fushë, duke e vazhduar kështu presionin mbi Bayernin në krye të tabelës.

Pas fitores me rezultat 4:0 në derbin e fundjavës së kaluar kundër Schalkes, Dortmundi të shtunën u përball me një ndeshje më të vështirë, pasi që vendasi Wolfsburgu bëri presion më të madh mbi mbrojtjen e skuadrës së Lucien Favre.

Megjithatë, Dortmundi i rezistoi presionit të nikoqirëve – të cilëve një gol iu mohua edhe nga shtylla e portës – dhe arriti t’i shënojë vetë dy gola për ta marrë një fitore të rëndësishme para derbit të madh të xhiros së ardhshme kundër Bayern Munichut, më 26 maj.

Dortmundi fillimisht kaloi në epërsi në minutën e 32-të të ndeshjes falë një goli të shënuar nga Raphael Guerreiro, i cili ka shfaqur formë mbresëlënëse që nga rinisja e sezonit fundjavën e kaluar, me tri gola të shënuara në dy ndeshjet e fundit.

Përderisa rezultati ishte në favor të Dortmundit, ndeshja në fushën e lojës vazhdonte të jetë pothuajse e barabartë deri në golin e dytë të skuadrës mysafire. I huazuari nga Real Madridi, Achraf Hakimi, shënoi në minutën e 78-të për ta dyfishuar epërsinë e Dortmundit dhe ia dha talentit anglez Jadon Sancho asistin e 16-të për këtë sezon.

Vetëm katër minuta pas këtij goli të Hakimit, Wolfsburgu e pësoi një goditje tjetër, pasi që mbeti me dhjetë lojtarë në fushë. Pas intervenimit të VAR-it, Felix Klaus u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër në Thomas Delaneyn.

Këto tri pikë bëjnë që Dortmundi të mbetet në pozitën e dytë në tabelë, me vetëm një pikë larg Bayernit, që megjithatë mund ta ngre diferencën mes tyre në katër pikë nëse fiton sot. Bayerni dhe Dortmundi do të përballen mes vete të martën në një ndeshje të rëndësishme për garën për titull.

Të ngjashme