Dramë me 7 gola në Sivas, Ballkani kthehet me 3 pikë

Prishtinë | 06 Tet 2022 | 20:47 | Nga Ekonomia Online

Ballkani ka shkruar historinë e futbollit kosovar. Është bërë skuadra e parë kosovare që ka fituar një ndeshje në Ligën e Konferencës. Këtë të arritur Ballkani e realizoi duke shënuar fitore dramatike 3:4 kundër Sivassporit në udhëtim në kuadër të Grupit G.

Kampionët e Kosovës e nisën jo mirë këtë sfidë duke u gjendur në disavantazh vetëm pas një minute lojë kur për nikoqirët shënoi Ulvestad.

Po rrjedhte minuta e 20-të kur shifrat u barazuan falë supergolit nga distanca të Armend Thaqit. Ballkani përmbysi rezultatin 11 minuta më vonë me anë të mbrojtësi tjetër, Arbër Potokut që e dërgoi topin në rrjetë nga afërsia.

Për golin e tretë të Ballkanit u desh të pritet minuta e 66-të kur Meriton Korenica realizoi pas një aksioni fantastik.

Sivasspori ngushtoi shifrat në minutën e 75-të kur Yesilyurt shënoi nga afërsia. Megjithatë, vendasit barazuan në minutën e parë shtesë duke menduar se ndeshja do të përfundonte me barazim.

Në minutën e tretë shtesë, futbollistët e Ballkanit dhe stafi teknik shpërthyen në festë kur Ermal Krasniqi shënoi golin e fitores.

Me këtë fitore, Ballkani ngritet në pozitën e dytë me katër pikë, kurse Sivasspori bie në të tretin me po aq pikë. Ndeshja tjetër e këtij grupi luhet mes Slavia Prahës (4 pikë) dhe Clujit (1 pikë) nga ora 21:00.

Të ngjashme