Drejtuesit e KOK-ut takuan krerët e komunave të Vushtrrisë dhe Mitrovicës, si dhe bizneset e klubet e tyre

Prishtinë | 05 Pri 2018 | 18:34 | Nga

Në vazhdën e takimeve me kryetarë të komunave, biznese dhe klube, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, të enjten qëndruan në Vushtrri dhe Mitrovicë.

Presidenti Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Haxhijaj, zhvilluan takime me krerët e këtyre komunave, bizneset dhe klubet.

Në Vushtrri, presidenti Hasani, sekretari i përgjithshëm, Haxhijaj, si dhe nënpresidenti i tretë i KOK-ut, Gazmend Maxhuni, u pritën ngrohtësisht nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe drejtoresha për Sport në këtë komunë, Fatmire Cecelia, kurse në Mitrovicë, takuan nënkryetarin e kësaj Komune, Faruk Mujka dhe drejtorin për Sport në këtë komunë, Tafil Peci.

Gjatë takimeve, drejtuesit e KOK-ut kërkuan nga krerët e komunave, ngritjen e buxhetit për sport e posaçërisht për klubet, për të cilat BE i KOK-ut, muaj më parë kishte konstatuar se ndodhen në gjendje të mjerueshme. Presidenti Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Haxhijaj, njoftuan kryetarët e Komunave edhe me përfitimet e shumta që sjell Rregullorja e Ligjit për Sponsorizim, me ç’rast kërkuan nxitjen e bizneseve për të investuar në sport. U kërkua po ashtu edhe organizimi i Panairit të Sportit 2018 në Komunën e Vushtrrisë dhe Mitrovicës, si dhe organizimi i Ditës Olimpike 2018 në Mitrovicë.

Presidenti Hasani i njoftoi edhe me Rregulloren për Kategorizimin e Sporteve, të cilën i rekomandoi ta aplikojnë edhe me klubet e komunave.

Krerët e KOK-ut takuan edhe bizneset dhe klubet e Vushtrrisë dhe Mitrovicës, takime që u mbajtën në sallën e Kuvendeve Komunale. Atyre iu sqarua në detaje Rregullorja për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formës për vërtetimin e sponsorizimit në sport, për çka të pranishmit përmes diskutimeve të shumta, falënderuan drejtuesit e KOK-ut për idenë e sqarimit të kësaj Rregulloreje.

Ligji për Sponsorizim, u mundëson bizneseve që investojnë në sport, 30 për qind lehtësira nga tatimi në fitim.

Javë më parë, KOK u takua edhe me kryetarët e Komunave të Pejës, Istogut dhe Klinës, si dhe bizneset e klubet e tyre, kurse në ditët e ardhshme planifikon takime edhe me komunat tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme