Drenica fiton bindshëm ndaj Ulpianës, kualifikohet në çerekfinale të Kupës

Prishtinë | 09 Shk 2021 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Drenica ka regjistruar fitore bindëse (4-0) përballë Ulpianës në ndeshjen e 1/8 së finales në Kupën e Kosovës në futboll që u zhvillua në fushën sintetike në Drenas.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 14-të të takimit me golin e Donald Rapo, i cili i kaloi në epërsi vendasit.

Në fund të pjesës së parë (45’+1), drenicasit e dyfishuan epërsinë me golin e Baton Zabërgjës dhe shkuan në pushim me rezultat komod.

Një tjetër gol u realizua edhe në gjysmën e dytë të takimit (61’), ndërsa golashënues ishte anësori Kreshnik Uka.

Zabërgja shënoi edhe golin e dytë personal në këtë takim (86’) dhe të katërtin për ekipin nikoqir duke vendosur edhe rezultatin përfundimtar.

Falë këtij triumfi, Drenica është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme