Dresheviq premton të japë edhe më shumë për Kosovën

Prishtinë | 02 Pri 2021 | 08:45 | Nga Ekonomia Online

“Nuk mendoj se e kam bërë ndeshjen më të mirë deri tani, unë gjithmonë provoj të jap më të mirën për ekipin dhe ta ndihmoj Përfaqësuesen sa më shumë që është e mundur”, ka thënë Ibrahim Dresheviq.

 Kosovës i mungoi lideri i mbrojtjes, Amir Rrahmani. Disa eksperimente të bëra ndaj Suedisë nuk ndezën, ndërsa Dresheviq, sidomos ndaj Spanjës, konfirmoi se ai mund të bartë barrën e udhëheqjes së lojës në repartin defansiv

Paraqitja e Ibrahim Dresheviqit në qendër të mbrojtjes së Kosovës në ndeshje kundër Përfaqësueses së Spanjës, të mërkurën mbrëma, u vlerësua e mirë. Por Dresheviq thotë se ka potencial të japë edhe më shumë te Përfaqësuesja “dardane”.

Kosova humbi me rezultatin 3:1 të mërkurën në Sevilla në ndeshjen kualifikuese për kampionatin botëror “Katari 2022”.

Dresheviq pati duele të shumta në mbrojtje me sulmuesin kryesor të spanjollëve, Alvaro Morata, që ndeshjen e mbylli pa shënuar gol. Morata u zëvendësua në minutën e 68-të, ndërsa në sulm luajtën edhe Ferran Torres dhe Dani Olmo. Dy të fundit shënuan dy golat e parë.

“Ka qenë kënaqësi të luash kundër njërit prej sulmuesve më të mirë në botë, Moratas. Më pëlqen të luaj kundër lojtarëve të mirë”, ka thënë Dresheviq.

Dresheviq thotë se do të mundohet që edhe në ndeshjet e ardhshme ta japë maksimumin për ta ndihmuar Përfaqësuesen e Kosovës.

“Nuk mendoj se e kam bërë ndeshjen më të mirë deri tani, unë gjithmonë provoj të jap më të mirën për ekipin dhe ta ndihmoj Përfaqësuesen sa më shumë që është e mundur”, ka thënë Dresheviq të enjten për KOHËN.

Dresheviq, 25-vjeçar, titullar në qendër të mbrojtjes ishte edhe në ndeshjen miqësore që Kosova e fitoi ndaj Lituanisë me rezultat të thellë, 4:0, ndërsa ai nuk pati të drejtë loje shkaku i suspendimit përballë Suedisë. Ndaj Suedisë, Kosova humbi me rezultat të thellë në Prishtinë 3:0, ndërsa u cilësua si një ndër ndeshjet më të dobëta të “dardanëve”. Kishte shumë lëshime në qendër të mbrojtjes.

Por, ndryshe nga ndeshje me suedezët, futbollistët e Kosovës u paraqitën më mirë kundër spanjollëve. Të paktën pati angazhim më të madh.

Këtë e pranon edhe vetë Dresheviq, i lindur në Suedi.

“Ne mësojmë pas çdo ndeshjeje dhe provojmë të bëjmë paraqitje më të mira në ndeshjet e radhës që i kemi. Ne mësojmë dhe më pas paraqitemi edhe më mirë. Kemi bërë punë të mirë të gjithë si ekip dhe kemi luftuar për njëri-tjetrin”, është shprehur Dresheviq.

Dresheviq ka luajtur nëntë ndeshje për Kosovën që nga tetori i vitit 2019. Para se të vendoste të luante për Kosovën, Dresheviq ka luajtur për të rinjtë e Suedisë.

Madje, kur për herë të parë ishte kontaktuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, nuk ishte paraqitur plotësisht i sigurt se do të luante për Kosovën. Këto mëdyshje u krijuan pas një deklarate të tij dhënë për mediat suedeze. Por, ai në fund vendosi të luante për Kosovën dhe është cilësuar si ardhje me vlera të mëdha.

E madhe insiston se ka qenë edhe paraqitja përballë Spanjës. Ai pret të vazhdojë me paraqitje të mira edhe te Heerenveeni në Holandë, skuadër me të cilën ka kontratë deri në qershor të vitit 2022.

Për Heerenveenin ka luajtur 27 ndeshje këtë edicion, ndërsa ka kontribuar me dy asistime. Edhe te Heerenveeni së fundi po luan si qendërmbrojtës, kurse mund të luajë edhe si mesfushor defensiv dhe mbrojtës i krahut të djathtë.

“Nuk kemi kohë për pushim, pasi na presin edhe ndeshje me klubin që po ashtu janë të rëndësishme për mua. Kemi angazhime të shumta, por shpresoj ta kem shëndetin dhe ta jap kontributin tim te Heerenveeni. Tani me Kosovën kemi një pushim të gjatë”, ka thënë Dresheviq.

Kosovës i mungoi lideri i mbrojtjes, Amir Rrahmani. Disa eksperimente të bëra ndaj Suedisë nuk ndezën, ndërsa Dresheviq konfirmoi se ai mund të bartë barrën e udhëheqjes së lojës në repartin defansiv.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme