Drita fiton kundër Vushtrrisë në një ndeshje dramatike në “Ferki Aliu”

Prishtinë | 21 Shk 2020 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Xhiroja e nëntëmbëdhjetë e këtij sezoni të Ipko Superligës së Kosovës dhe e dyta për stinorin pranveror ia solli një fitore si mysafire Dritës, me rezultat 3:2, kundër Vushtrrisë në “Ferki Aliu”.

Vushtrria, përkundër që rrezikon të bie nga Superliga në Ligën e Parë në fund të këtij sezoni 2019/20, ia bëri punën e vështirë Dritës, që megjithatë arriti ta marrë fitoren dhe të barazohet me pikë, të paktën përkohësisht, me liderin e ligës Ballkanin

Klubi gjilanas kaloi i pari në epërsi në këtë ndeshje, përmes golit të shënuar me kokë nga Izair Emini në minutën e 18-të të ndeshjes, transmeton Gazeta Express.

Në minutën e 31-të, Vushtrria arriti t’i gëzojë tifozët e “Forcës” duke e barazuar rezultatin përmes golit të shënuar në minutën e 31-të. Por, ky gëzim u zgjati vetëm pesë minuta tifozëve vendas, pasi që Drita e ktheu shpejt epërsinë, përmes golit të Erjon Vucaj.

Niveli i referimit në Kosovë u bë sërish temë debati për shkak të një vendimi të gjyqtarit Genc Nuza për t’ia anuluar Fazliut të Vushtrrisë një gol të shënuar nga gjuajtja e lira në minutën e 39-të. Pas këtij vendimi, tifozët në tribunat e stadiumit “Ferki Aliu” vazhduan me ofendime drejt Nuzës për disa minuta.

Megjithatë, Vushtrria arriti ta barazojë edhe një herë rezultatin e ndeshjes, falë golit të Ilir Azemit në minutën e 62-të. Por, Drita sërish doli në epërsi dhjetë minuta më vonë, falë lojtarit të transferuar gjatë janarit, Kastriot Rexhës.

Vushtrria nuk u dorëzua deri në momentet e fundit dhe i shkoi afër golit në minutën e dytë të kohës shtesë, megjithatë këtë herë s’arriti ta gjejë golin e barazimit, siç bëri dy herë të tjera gjatë ndeshjes.

Kjo është humbja e 12-të këtë sezon nga gjithsej 19 ndeshje të zhvilluara për Vushtrrinë (katër fitore, tri barazime), ndërsa Drita e vazhdoi me këtë fitore kandidaturën për titull të kampionit, duke e marrë fitoren e 11-të (i ka edhe katër barazime dhe katër disfata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme