Drita fiton në udhëtim te Trepça ’89 me rezultat minimal

Prishtinë | 04 Nën 2020 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Drita e ka mposhtur Trepçën ’89 në kuadër të javës së 11-të në Superligën e Kosovës me rezultat 1-0.

Pas vetëm 15 minutash lojë në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë, kampioni në fuqi kaloi në epërsi me anë të Xhevdet Shabanit që shënoi nga ndërprerja.

Vendasit filluan të këndellen dhe rrezikuan me Bissmark Sie pas tre minutash, por që goditja e tij përfundoi mbi portë.

Drita më pas rrezikoi me anë të Kastriot Rexhës në minutën e 25-të, mirëpo gjuajtje e tij u ndal nga portieri Prince Marley.

Trepça ’89 kishte një shans të artë në minutën e 40-të, por që Rilind Nimani goditi vetëm rrjetën e jashtme.

Pjesa e dytë filloi me vonesa, shkaku që disa tifozë ishin të pranishëm në tribuna dhe derisa u realizua largimi i tyre, lojtarët nuk u rikthyen në aksion.

Trepça ’89 i filloi furishëm 45 minutëshin e dytë, duke rrezikuar sërish me anë të Nimanit, e që goditjen e tij e ndali portieri Faton Maloku.

Dy skuadrat kishin disa shanse të mira deri në fund, mirëpo portat mbetën të paprekura në pjesën e dytë.

Pas javës së 11-të, Drita është në vendin e dytë me 22 pikë, derisa Trepça ’89 është në të gjashtin me 14 sosh. /Telegrafi

Të ngjashme