Drita i drejtohet Casit, Prishtina po mbledh prova

Prishtinë | 27 Gus 2020 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita nga Gjilani, nuk po pajtohet assesi me mënyrën se si u eliminua nga turneu parakualifikues i Ligës së Kampionëve. Te Drita tashmë kanë vendosur për t’iu drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) dhe për këtë ka angazhuar një avokat zviceran.

Te Drita janë të bindur se padrejtësisht janë eliminuar nga UEFA. Shkaku i rasteve me koronavirus, UEFA ka marrë vendim për ta eliminuar Dritën, që ishte kualifikuar në finale të turneut preliminar të zhvilluar në Nyon të Zvicrës javë më parë.

Në gjysmëfinale, Drita kishte eliminuar kampionin e Andorrës, Inter d’Escaldes dhe në finale do të duhej të përballej me Linfieldin e Irlandës së Veriut për kualifikim në raundin e parë eliminator. Në fakt, brenda dy ditësh te Drita kishin rezultuar pozitivë dy futbollistë me koronavirus gjatë qëndrimit në Zvicër. Në rastin e parë ishte marrë vendim që të izolohet futbollisti në fjalë derisa në të dytin autoritetet zvicerane kanë kërkuar karantinimin e tërë ekipit. Mirëpo, Drita ka refuzuar një gjë të tillë dhe një ditë më vonë UEFA njoftoi për eliminimin e ekipit kosovar.

Megjithatë, Drita do të vazhdojë aventurën evropiane në raundin e dytë eliminator të Ligës së Evropës dhe kundërshtarin do ta mësojë në fillim të javës së ardhshme. Avokati i Dritës për këtë çështje, Luca Tettamanti, të mërkurën për mediumet e huaja ka pranuar se tashmë ka nisur procedurat e ankesës në CAS. Prishtina është eliminuar pa e zhvilluar ndeshjen parakualifikuese në Gjibraltar kundër Lincoln Red Imps për shkak të rasteve me koronavirus.

“Ne jemi duke proceduar me rastin bazuar në fakte”, ka thënë shkurt Tettamanti.

Ngjashëm sikurse Drita, edhe Prishtina nuk e ka ndërmend të pajtohet me eliminimin nga Liga e Evropës. Megjithatë, te Prishtina përpara se ta dërgojnë rastin në CAS, po punojnë në mbledhjen e provave dhe këtë e kanë konfirmuar zyrtarë të klubit nga kryeqyteti për KOHËN në kushte anonimiteti.

“Jemi në mbledhje të provave dhe formaliteteve të tjera”, ka pranuar një zyrtar i klubit në kushte anonimiteti.

Zyrtarisht, Prishtina nuk ka dalë ende me një qëndrim. Te Prishtina kanë hedhur dyshime mbi testimet e bëra në Gjibraltar, meqë në testimet në Kosovë të gjithë futbollistët kanë dalë negativë, derisa në Gjibraltar shkaku i rezultateve pozitive në dy udhëtimet brenda pak ditësh ka pasur lojtarë të infektuar me koronavirus.

Se futbollistët e Prishtinës kanë rezultuar negativë për koronavirus në testet e kryera gjatë së martës dhe së shtunës në Laboratorin Universitar të Gjibraltarit, ka thënë edhe drejtori i Shëndetësisë Publike i këtij vendi. Por, në fakt, UEFA as testimet e shtetit të Gjibraltarit nuk i njeh. Një gjë e tillë u bë e ditur pasi që klubi nga Kosova e humbi me rezultat zyrtar ndeshjen e vlefshme për kualifikimin në Ligën Evropiane me klubin lokal, Lincoln Red Imps, meqenëse tetë lojtarë të saj rezultuan pozitivë të shtunën në testet e kryera nga laboratori i zyrtarizuar i UEFA-s për diagnostikime “Synlab”.

Duke folur për portalin “GBC”, drejtori i Shëndetësisë Publike në Gjibraltar, Sohail Bhatti, ka thënë se diskrepanca mes rezultateve negative të Universitetit dhe atyre pozitive nga “Synlab”-i mund të shpjegohet me faktin se secili prej tyre operon ndryshe dhe kanë destinime të ndryshme. Bhatti ka thënë se laboratori universitar përdoret për ekzaminimin e popullatës dhe i ka proceset dhe pragjet e veta.

Kjo, sipas tij, ka për qëllim që të ofrohen testime të shpejta, “por me koston e saktësisë më të ulët”. Në anën tjetër, “Synlab” është një laborator diagnostikues tek i cili kërkohet saktësi absolute, pasi që rezultatet e dhëna janë të dedikuara për përkujdesje spitalore. “GBC”-ja ka mësuar se “Synlab”-i vetëm ka mbledhur mostrat në Gjibraltar, porse testet në fakt janë kryer në një laborator në Spanjë – mbase në Cadiz apo Fuengirola – se për rezultatet e tyre kërkohen mesatarisht 24 orë kohë.

Shtatë rastet pozitive të evidentuara nga “Synlab”-i, Bhatti bëri të ditur të jenë rishikuar dhe se me këtë rast është zbuluar se ato ishin nën pragun e detektimit të laboratorit universitar. Ai ka thënë se rezultatet e “Synlab”-it janë ato që merren parasysh nga UEFA për të përcaktuar nëse ndeshjet në kuadër të saj mund të zhvillohen në mënyrë të sigurt. UEFA nuk ua ka kërkuar autoriteteve të Gjibraltarit rezultatet e tyre. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik, testet e laboratorit universitar “kurrë nuk e gabojnë përqendrimin e lartë të virusit”, gjë kjo që, sipas tij, ishte me rëndësi domethënëse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme