Drita kritikon Prishtinën, publikon pamje nga zhveshtorja e dëmtuar

Prishtinë | 09 Kor 2020 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Përderisa klubet e tjera të Superligës i dolën në përkrahje Prishtinës pas incidenteve që rrjedhën në Gjilan, Drita ka reaguar duke thënë se e kundërshton çdo lloj të dhunës dhe sjelljes josportive dhe e kritikoi klubin bardhekaltër për shkatërrimin e zhveshtores.

Prishtina u mund 2:1 nga Gjilani në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, në një ndeshje të tensionuar, një pjesë lojë të së cilës e zhvilloi me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit kontrovers të portierit Visar Bekaj, direkt me karton të kuq.

Skuadra e Armend Dallkut lëshoi pikë të rëndësishme ndaj rivalit direkt për titull, në një garë të paparë në futbollin kosovar, duke e regjistruar humbjen e parë që prej rikthimit të futbollit pas pandemisë koronavirus.

Pas ndeshjes pati tensione në fushë, me trajnerin Dallku dhe stafin e tij që shkuan për t’u kërkuar sqarime gjyqtarëve të ndeshjes, duke e detyruar policinë të ndërhyjë me sprej.

Një lojtar i Prishtinës e pësoi një prerje në dorë pasi e kishte thyer një xham në zhveshtoren e stadiumit, ndërsa Drita ka bërë të ditur se e gjithë zhveshtorja është dëmtuar.

“Ajo qka ndodhi në fushë nuk i shërben askujt dhe nuk na dërgon askund, ku ne si klub morëm lajmin se ka pasur lëndimeve te aktereve te ndeshjes. Klubi jonë eshte kunder qdo dhune dhe cdo veprimi josportive qe ndodhe ne terenet e sportit ne kete raste ne fushat e futbollit”, thuhet në reagimin e Dritës.

“Ajo qka na duhet me se paku eshte edhe prishja e raporteve ne mes udheqeseve te klubeve e cila mund te vjen nga njerzit jo profesional qe gjinden neper kryesite e klubeve, udheheqes te ekipeve e sidomos ju sportistë; prishja, demolimi, shkaterimi I dhomave te zhveshjes te cilat per shume vite na kane munguar eshte gjeja me e ulet qe vepron nje ekip dhe nje sportistë”.

“Gjithashtu pas largimit te ekipit musafir FC Prishtina nga stadium i qytetit kemi vrejtur qe dhoma ezhveshjes se klubit tone eshte demoluar totalisht duke shkatrruar gjithcka qe kishte brenda, duke thyer dritaret e kesaj dhome te cilen e shfrytzon ekipi musafir ne momentin qe ekipi i Gjilanit ka ndeshje gjithashtu dhe e kunderta kur ne kemi ndeshje dhoma e zhveshjes se ekipit te Gjilanit shfrytzohet nga musafiret tane”.

Drita ka bërë të ditur se për këtë do ta lajmërojë Federatën e Futbollit të Kosovës dhe organet kompetente, ndërsa e ka komentuar edhe zënkën mes zyrtarëve të dy klubeve.

“Sot diku rreth 30 min pas perfundimit te ndeshjes jashtë stadiumit apo me saktësisht ne parkingun e stadiumit, zyrtari i klubit FC Prishtina ka ofenduar me fjalet me te pista Drejtorin sportive te Klubit tone z.Valon Zymeri dhe ate e gjitha kjo ndodhi para zyrtareve te policise te cilet e kane pare nga afer dhe jane duke u marr me rastin”, thuhet në reagimin e Dritës.

Trepça ’89, një klub që po lufton për mbijetesë në elitë dhe më i zëshmi kundër gjyqtarëve dhe Federatës së Futbollit të Kosovës këtë sezon, ishte e para që reagoi në përkrahje të Prishtinës.

Dhe pas Ballkanit, një rival tjetër direkt për titull në Superligë, ka reaguar edhe Llapi, klubi nga Podujeva që po ashtu shpesh ka dalë haptazi kundër FFK-së dhe gjyqtarëve në të kaluarën./ge 

Të ngjashme