Drita mposht Ballkanin me rezultat të thellë

Prishtinë | 17 Tet 2018 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Me rezultat të thellë prej 6-1, Drita e ka mposhtur Ballkanin, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dhjetë në Superligën e Kosovës në futboll.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 12-të të takimit me golin e Betim Haxhimusës, i cili u asistua nga Ardian Limani.

Nikoqirët e dyfishuan epërsinë përmes Fidan Gërbeshit, i cili e konvertoi në gol një penallti (36′).

Në fillim të fraksionit të dytë (47′), kampioni shënoi sërish. Filonit Shaqiri realizoi falë asistimit të Haxhi Nezirajt.

Goli i katërt i vendasve erdhi në minutën e 59-të, që në fakt ishte autogol nga Liridon Kukaj.

Skuadra gjilanase e shënoi edhe golin e pestë, ndërsa golashënues ishte Endrit Krasniqi (75′).

Blend Baftiu e shënoi golin e nderit për mysafirët (86′), kurse Betim Haxhimusa me golin e dytë personal (89′)e vendosi rezultatin përfundimtar të takimit, raporton Telegrafi.

Kjo ishte fitorja e katërt e Dritës në 10 xhirot e para në Superligë, ndërsa numëron edhe pesë humbje dhe një barazim.

Përkundër fitores, kampioni do të mbetet në vend të tetë në tabelë, me 13 pikë, një më pak se rivali lokal Gjilani që është një pozitë më lartë.

Për Ballkanin, kjo ishte humbja e pestë në këtë fillim sezoni, ndërsa ka regjistruar edhe dy fitore dhe tri barazime dhe mban vendin e dhjetë në tabelë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme