Driton Kuka, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova flasin nga karantina në Pejë

Prishtinë | 11 Pri 2020 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Disa nga xhudistët më të dalluar në Kosovë duket se kohën kur pjesa dërrmuese e shteteve janë bllokuar për shkak të përhapjes së Covid-19, po e menaxhojnë mjaft mirë.

Në emisionin e mëngjesit Ora Shtatë në Klan Kosova, trajneri Driton Kuka, kampionia olimpike Majlinda Kelmendi dhe xhudistja Nora Gjakova, kanë treguar se si po e kalojnë kohën e tyre në karantinë.

Kuka ka thënë se në këtë kohë, grumbullimi i sportistëve në një vend ka qenë mënyra e vetme për t’i vazhduar stërvitjet në mënyrë që ata të jenë të gatshëm në të ardhmen.

“Mirë jemi këtu në kushte të izolimit dhe mirë po kalojmë. Kjo është mënyra e vetme për t’i vazhduar stërvitjet për shkak të masave që janë marrë karshi infeksionit që e ka kapluar botën. Kjo ka qenë mënyra e vetme: që t’i grumbulloj sportistët në një vend dhe të jetojmë si familje në mënyrë që të kemi mundësi sadopak t’i vazhdojmë stërvitjet dhe të jemi të gatshëm për garat e ardhshme”.

“Fillimisht ka pasur pak hezitime sepse nuk e kanë ditur se si do të shkojë kjo, por tash kur jemi në një distancë kohorë prej katër javësh gjithçka ka marrë formë. Mua po më duket s emirë po e kalojnë kohën, kemi stërvitje dy herë në ditë”.

Ndërsa Kelmendi ka theksuar se po e shfrytëzon këtë kohë për të ushtruar gjëra të reja.

“Neve na ndodhë të udhëtojmë shpesh dhe të kalojmë shumë kohë së bashku, kështu që jemi mirë dhe në përgjithësi mirë po shkojmë”.

“Duke e pasur parasysh se nuk do të ketë gara për një periudhë pak më të gjatë, tash e mira e kësaj është se po mund të ushtrojmë sende të reja dhe të jemi më të relaksuar”.

“Për dallim prej ekipeve të forta në Europë, ne nuk i kemi ndërprerë stërvitjet dhe mendoj se jemi në përparësi në këtë aspekt”.

Gjithashtu edhe Gjakova ka thënë se është me fat që i është dhënë kjo mundësi sepse sipas saj, shumica e ekipeve nëpër botë nuk e kanë mundësi, përveç se të punojnë në shtëpi.

“Ne jemi vërtet me fat që na është dhënë kjo mundësi të ushtrojmë në këtë kohë kur shumica e shteteve nuk kanë mundësi t’i kryejnë ato përveç se në shtëpi”.

“Po mundohemi t’i përmirësojmë gabimet që i kemi pasur apo edhe ato anët që i kemi të mira. Shpresoj që kjo do të ndikojë pozitivisht që të jemi në përparësi ndaj garuesve të tjerë”.

Të ngjashme