“Dua ta shoh finalen epike të Botërorit, Messi vs Ronaldo”

Prishtinë | 13 Qer 2018 | 10:00 | Nga

Ish-sulmuesi i Australisë, Harry Kewell, nuk ka shpresa se vendi i tij do të shkojë larg në Kupën e Botës në Rusi, por ai më shumë është i etur ta shohë një finale epike mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.

Një finale mes Argjentinës dhe Portugalisë në Rusi ka mundësi të ndodhë nëse Argjentina e fiton Grupin D dhe Portugalia përfundon e dyta në Grupin B, pasi të dy kombëtaren do të ishin pastaj në rrugë për t’u takuar në finale, nëse do t’ia dilnin deri aty.

Argjentina ka mundësi të madhe të dalë e para në Grupin D, pasi shorti i ka rënë të luajë kundër Kroacisë, Islandës dhe Nigerisë, derisa Portugalisë mund t’i duhet të pajtohet me vendin e dytë në Grupin B, pasi aty përballet me Spanjën, Marokun dhe Iranin.

As Messi e as Ronaldo nuk e kanë shijuar suksesin në Kupën e Botës, dhe në fakt ende nuk janë takuar në këtë garë, diçka që Kewell shpreson se do të ndodhë këtë herë.

“Do të doja ta shihja një finale mes Argjentinës dhe Portugalisë – Messi vs Ronaldo”, ka thënë Kewell për Goal.

“Mendoj se ky do të ishte kulmi sepse atëherë ata do të mundë të luftonin për më të mirin në botë”, shtoi ai.

Të ngjashme