“Dua të pensionohem në Real Madrid, tifozët më duan”

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 10:31 | Nga

Keylor Navas ka pohuar se e ka përkrahjen e tifozëve të Real Madridit duke e theksuar qëllimin e tij për t’i dhënë fund karrierës në “Santiago Bernabeu”.

Përfaqësuesi i Kosta Rikës ka qenë zgjedhja e parë në portën e Real Madridit në tri sezonet e fundit, duke i ndihmuar skuadrës së Zinedine Zidane t’i fitojë tre tituj me radhë në Ligën e Kampionëve, si dhe La Ligën në sezonin 2016-17.

Largimi i Zidane në fund të këtij sezoni ka hedhur dyshime në të ardhmen e Navasit, megjithatë portieri ka thënë për të përditshmen spanjoll “Marca” se e ka përkrahjen e tifozëve për të qëndruar në klub.

“Mirësia që ma kanë shfaqur adhuruesit tërë kohën është e jashtëzakonshme dhe u jam shumë mirënjohës”, ka thënë Navas.

“Pavarësisht situatave, ata gjithmonë më qëndrojnë pranë. Në stadium gjithmonë dëgjoj brohoritje përkrahëse që më motivojnë. Ata gjithmonë më thonë ‘mos shko, ne të duam ty’”, shtoi ai.

31-vjeçari e ka shprehur synimin e tij për t’u pensionuar në Madrid.

“Jam lojtar i Madridit dhe kam kontratë deri më 2020. Gjithmonë kam thënë se jam i lumtur në Real Madrid dhe shpresoj, dashtë Zoti, të pensionohem në këtë klub”, theksoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme