Dukagjini e Malisheva kërkojnë ta shmangin humbjen në “derbin për mbijetesë”

Prishtinë | 01 Pri 2022 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Dukagjini dhe Malisheva kanë pasur seri të mirë të rezultateve. Dukagjini ka pesë ndeshje pa humbje, ndërsa Malisheva katër. Si te Dukagjini ashtu edhe te Malisheva shpresojnë ta shmangin humbjen në ndeshjen që do ta luajnë në mes vete të premten dhe kështu të vazhdojnë mbledhjen e pikëve.

Ndeshja Dukagjini – Malisheva është e para e Superligës pas pushimit dhjetëditësh për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve. I takon xhiros së 27-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Dukagjini – Malisheva zhvillohet në Klinë nga ora 14:00. Dukagjini është në vendin e tetë me 29 pikë, kurse Malisheva me katër pikë më shumë në vendin e pestë.

Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, pret nga ekipi i tij të vazhdojë me rezultate pozitive.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. E kemi përballë një nga kundërshtarët direktë për mbijetesë. Jemi të motivuar pas serisë prej pesë ndeshjeve pozitive. Dëshirojmë të vazhdojmë kështu me seri pozitive për të shpërblyer tifozët dhe për të kthyer besimin në ekip dhe te stafi. Kemi pasur paraqitje të mira gjatë gjithë kampionatit, por rezultati ka munguar për arsye të ndryshme. Tash së fundi jemi të kënaqur dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Për neve nuk është e rëndësishme se kush është kundërshtar. Nuk kemi frikë nga asnjë kundërshtar”, ka thënë Dallku të enjten për KOHËN.

Dukagjini në ndeshjen e fundit fitoi në udhëtim ndaj Llapit, derisa Malisheva u nda baras me Gjilanin.

Trajneri Arsim Thaqi ka theksuar se e rëndësishme për Malishevën është të mos pësojë disfatë nga Dukagjini.

“Është një ndeshje e vështirë. Për ne është shumë me rëndësi të mos pësojmë disfatë dhe ta ruajmë diferencën e pikëve prej katër. Nuk kemi mungesa, jemi të kompletuar si ekip dhe shpresoj edhe në një gjykim të drejtë të ndeshjes. Dukagjini ka lojtarë me eksperiencë, por shpresoj që edhe ne do të paraqitemi mirë në ndeshje”, ka thënë Thaqi.

Dy ndeshje do të luhen të shtunën, ajo në mes të Prishtinës dhe Llapit, si dhe ajo mes Ulpianës e Dritës. Të dielën është derbi në mes të Gjilanit dhe Ballkanit. Drenica luan ndaj Feronikelit.

Superliga – 27

E premte (14:00)

Dukagjini – Malisheva

(Gjyqtarët: M. Bejtullahu, F. Jashari, E. Bejtullahu, I. Ceroviku)

E shtunë (14:00)

Prishtina – Llapi

(Gjyqtarët: M. Ajeti, D. Rexhepi, A. Zhegrova, E. Zasella)

Ulpiana – Drita

(Gjyqtarët: B. Kasumi, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, A. Halilaj)

E diel

Gjilani – Ballkani (13:30)

(Gjyqtarët: G. Nuza, F. Berisha, B. Morina, B. Jahmurataj)

Drenica – Feronikeli (14:00)

(Gjyqtarët: B. Ajeti, B. Selimaj, B. Hyseni, V. Ibërdemaj)

1.Ballkani 26 16 6 4 41:17 54
2. Gjilani 26 12 13 1 35:20 49
3. Drita 26 13 7 6 36:17 46
4. Llapi 26 11 8 7 43:31 41
5. Malisheva 26 9 6 11 32:30 33
6. Prishtina 26 8 8 10 31:27 32
7. Drenica 26 9 5 12 33:36 32
8. Dukagjini 26 6 11 9 24:30 29
9. Ulpiana 26 5 9 12 24:44 24
10. Feronikeli 26 3 3 20 11:58 12

Të ngjashme