Duro thotë se do ta bëjë Feronikelin evropian

Prishtinë | 13 Mar 2021 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Klodian Duro ka vazhduar me lëvdata për futbollistët që ai i drejton. Ai pas ndeshjes së fituar ndaj Prishtinës 2:0 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas të shtunën, ka thënë se skuadra e tij do të ishte edhe më lartë në tabelë, nëse referimi do të ishte i duhuri.

Feronikeli ia ndali Prishtinës serinë e 18-të ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat.

“Rëndësi ka fitorja. Ne e dimë se sa të fortë jemi sepse duket për të gjithë ata që ndjekin futboll dhe Superligën e Kosovës. Është një ligë ndryshe, një ligë shumë e fortë. Ne jemi duke e bërë këtë më së miri, sigurisht që mund të bëjmë më mirë. Ne munden që të na pengojnë, të na bëjnë të vështirë, por kemi një grup fantastik lojtarësh, jemi të bashkuar. Dua që me eksperiencën time ta bëj Feronikelin evropian. Në tabelë është dashur që të kemi më shumë pikë, por të gjithë e dimë pse nuk i kemi ato pikë. Kam gjetur një grup fantastik lojtarësh. Dua them që me këtë frymë, me këtë lojë, me këtë taktikë, duhet të luajmë edhe në mesjavë në Kupë”, theksoi Duro.

Feronikeli në mesjavë në çerekfinale të Kupës së Kosovës do të takohet sërish me Prishtinën.

Në Superligë, Feronikeli renditet i gjashti me 31 pikë, ndërsa Prishtina ka 50 pikë në vendin e tretë, tri më pak se liderja Drita që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme