Dy skuadrat më të mira nisin stinorin me “finalen” për Superkupë

Prishtinë | 24 Sht 2019 | 10:37 | Nga Ekonomia Online

Te Sigal Prishtina janë të vendosur që edicionin 2019/20 në basketbollin e Kosovës ta nisin me trofe, sidomos pas eliminimit në Ligën e Kampionëve ku ishin shumë afër të bënin histori.

Prishtina javën e shkuar u eliminua në raundin e parë të Ligës së Kampionëve nga Legia e Varshavës, kurse të martën (sot, 20:30) do të luajë ndeshjen e Superkupës së Kosovës kundër Rahovecit.

Ndeshja do të luhet në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

Prishtina është kampione në fuqi, derisa Rahoveci nënkampion. Edicionin e shkuar, Prishtina pati triumfuar ndaj Rahovecit si në finalen e Kupës së Kosovës ashtu edhe në serinë finale të plejofit. Në krye të Prishtinës është trajneri Bujar Loci, i cili edicionin e shkuar udhëhoqi Rahovecin drejt dy finaleve.

Loci është optimist se Prishtina do të rrëmbejë të martën (sot) mbrëma trofeun e parë të edicionit, edhe pse thotë se Rahoveci ka formuar ekip të mirë dhe nuk do të jetë lehtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme