Dybala paralajmëron Federatën: Luftojeni racizmin, ose do ta bëjmë ne lojtarët

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Juventusit, Paulo Dybala, e ka paralajmëruar Federatën e Futbollit të Italisë se lojtarët do ta marrin vetë situatën në dorë nëse nuk ndërmerret asnjë hap për ta luftuar racizmit në stadiumet e futbollit në Itali.

Ylli argjentinas e dha një intervistë për mediumin CNN para rinisjes së Serisë A prapa dyerve të mbyllura dhe e kujtoi incidentin kur bashkëlojtari i tij, Moise Kean, ishte bërë viktimë e abuzimit në baza racore gjatë një ndeshje si mysafirë kundër Cagliarit, transmeton Gazeta Express.

Ai gjithashtu e theksoi se incidente të ngjashme i kanë ndodhur edhe Miralem Pjanicit dhe sulmuesit të Brescias, Mario Balotellit.

“Me të vërtetë nuk ishte e lehtë për të. Unë kam përjetuar disa situata të ndryshme të racizmit me bashkëlojtarë të tjerë të Juventusit në stadiume të tjera”, ka thënë Dybala.

“Shumë stadiume italiane kanë racizëm specifik ndaj disa lojtarëve. Kjo i ndodhi edhe Mario Balotellit, edhe Pjanicit në ndeshje kundër Brescias. Mendoj se ndëshkimet duhet të jenë më të ashpra”.

“Nëse jo, atëherë ne lojtarët duhet ta marrim vetë situatën në kontroll për t’u siguruar që këto incidente të mos vazhdojnë të ndodhin sepse ne po flasim për njërin ndër kampionatet më të mëdha në botë”.

“Neve na shikojnë miliona njerëz dhe nëse ata e shohin një rast racizmi dhe asgjë veprim nuk ndërmerret, ata njerëz do të inkurajohen edhe më shumë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë”.

“Njerëzit përgjegjës duhet ta ndërmarrin ndonjë veprim ose, brenda pak kohës, do të jenë lojtarët ata që do të marrin drejtpërdrejt ndonjë hap. Siç ka ndodhur shpeshherë në të kaluarën, shumë lojtarë po vendosin të dalin nga fusha dhe të mos luajnë më, që, sipas meje, është vendimi i përsosur sepse gjëra të tilla s’do të duhej të ndodhnin më”.

“Nëse shoqëria, në këtë rast Federata italiane, nuk vendos të bëjë diçka, atëherë lojtarët janë ata që duhet të bëjnë diçka. Ose, siç kanë bërë gjyqtarët shpeshherë në të kaluarën, ta ndalin ndeshjen në atë mënyrë që njerëzit të mos vazhdojnë me krime të atilla”.

Të ngjashme