E konfirmon Agim Ademi, ky është lojtari më i ri që do t’i bashkohet Kosovës

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 17:11 | Nga Ekonomia Online

Vazhdojnë prurjet e reja në Përfaqësuesen e Kosovës, teksa i fundit është sulmuesi i talentuar Andi Zeqiri.

Sulmuesi i talentuar nga Kosova ka shkëlqyer në futbollin zviceran me skuadrën Lausanne.

20-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 26 ndeshje teksa ka shënuar 17 gola dhe ka bërë pesë asistime.

Zeqiri deri më tani ka luajtur në të gjitha grupmoshat e Kombëtares së Zvicrës, teksa në ekipin A do t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një prononcim për Telegrafin.

Numri një i shtëpisë më të madhe të futbollit kosovar ka thënë se Zeqiri do ta luaj edhe një ndeshje me Zvicrën U-21 dhe pastaj do të grumbullohet nga trajnerin Bernard Challandes.

“Andi ka edhe një ndeshje me Kombëtaren U21 të Zvicrës ndaj Francës dhe duhet ta zhvillojë atë pasi është shumë e nevojshme”.

“Pas asaj ndeshje ai edhe zyrtarisht do t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës A dhe tani kjo është e sigurt”, tha kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Ylli nga Kosova që ka shkëlqyer këtë edicion me Lausannen në Challange League pritet të ftohet në grumbullimin e radhës nga trajneri Bernard Challandes.

“Besoj që ai do të ftohet në grumbullimin e radhës, por në fund është trajneri Bernard Challandes që vendos se kur do të ftohet”.

“Por ajo që është e sigurt është se Andi ka zgjedhur që të luaj për Kosovën A”, përfundoi Ademi.

Zeqiri ka zhvilluar ndeshje të mëdha me Helvetikët U21, teksa në shtatë ndeshje ka shënuar gjashtë gola.

Kujtojmë që talenti i madh nga Kosova ishte duke u kërkuar edhe nga Përfaqësuesja A e Zvicrës, por në fund ai zgjodhi Kosovën.

Pas formës së jashtëzakonshme, Zeqiri mund të largohet në verë nga Lausanne për të kaluar në Ligue 1 ku kërkohet nga skuadra si Lens, Saint Etienne dhe Nice. 

Të ngjashme