Edhe dy skuadra të njohura franceze në garë për Andi Zeqirin

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Andi Zeqiri është njëri nga lojtarët më të talentuar në kampionatin zviceran.

Sulmuesi nga Kosova po kalon nëpër një formë të mrekullueshme me Laussanen në Challange League, teksa ka shënuar thuajse në çdo takim.

20-vjeçari e ka udhëhequr sulmin e klubit bardhekaltër me 17 gola e pesë asistime në 26 ndeshje zyrtare.

E falë formës së tij të mirë, ai ka marrë oferta nga kampionati francez, ku skuadra e parë që u fut në garë për të ishte Lens.

Reprezentuesi i Zvicrës U-21 së fundmi shënoi gol edhe në çerekfinalen e Kupës së Zvicrës ndaj Baselit, në humbjen e Laussanes 2-3 pas kohës shtesë.

Për Zeqirin së fundmi kanë ardhur edhe dy oferta të tjera nga kampionati francez Ligue 1.

Dy skuadrat e njohura Saint Etienne dhe OGC Nice janë duke kërkuar të transferojnë sulmuesin qendror.

Kontrata e lojtarit me Laussanen skadon në verën e vitit 2021, ndërsa klubi zviceran synon të fitojë këtë verë nga largimi i tij.

Largimi i Andi Zeqirit nga klubi bardhekaltër mund të ndodh këtë afat kalimtar për një shumë rreth katër milionë euro.

Kujtojmë që Zeqiri ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës, ndërsa tani pritet të zgjedh mes Kosovës dhe helvetikëve për ekipin A. 

Të ngjashme