Edhe Italia vendos t’i kthejë tifozët në stadiume shumë më herët seç pritej

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë e Italisë ka njoftuar se shpreson t’i lejojë tifozët të kthehen nëpër stadiume të Serie A kah gushti apo shtatori, por nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që kjo të ndodhë edhe në korrik, pas zbehjes së pandemisë Coronavirus.

Numri i rasteve me Covid-19 është duke rënë me shpejtësi të madhe në gjithë Italinë, gjë që e ka shtyrë Ministrinë e këtij vendi t’i lehtësojë dukshëm masat kundër këtij virusi, transmeton Gazeta Express.

Qytetarët italianë po lejohen tani të shkojnë në kinema, teatro të hapura dhe në ngjarje të tjera por duke i respektuar rregullat e mbajtjes së distancës sociale.

“Ne e dimë se futbolli pa tifozë nuk është i njëjtë”, tha zëvendësministri i Shëndetësisë i Italisë, Carlo Sibilia.

“Unë ëndërroj t’i shoh tifozët në stadiume përsëri, por duhet të jemi të kujdesshëm. Shpresoj se do të jemi në gjendje t’i kthejmë tifozët në stadiume nga gushti apo shtatori”, shtoi ai.

Serie A nis këtë muaj për ta përfunduar sezonin e mbetur në gjysmë dhe ndeshjet e mbetura do të luhen pa praninë e tifozëve në stadiume.

Të ngjashme