Edhe La Liga goditet nga Coronavirusi: Ky është lojtari i parë i infektuar

Prishtinë | 15 Mar 2020 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtësi i Valencias, Ezequiel Garay, ka njoftuar në rrjetet sociale se ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, duke u bërë kështu lojtari i parë në La Liga që infektohet me këtë sëmundje ngjitëse.

Qendërmbrojtësi argjentinas u bë lojtari i parë në La Liga që infektohet me koronavirus, i njohur si COVID-19, dhe ka bërë thirrje për qetësi dhe se do të futet në vetëizolim.

“Është e qartë se vitin 2020 e kam nisur keq. Kam dalë pozitiv në testin për koronavirus. Ndihem mirë dhe tani më mbetet vetëm t’i kushtoj vëmendje udhëzimeve shëndetësore të dhëna nga autoritetet, pra të izolohem”, shkroi Garay në rrjetet sociale.

E tërë skuadra e Valencias u testua para dy ditëve dhe Garay është lojtari i parë që rezulton pozitiv me virus.

Kjo nënkupton se të gjithë bashkëlojtarët dhe punëtorët që kanë qenë në kontakt me të në ditët e fundit duhet të futen në karantinë për ta parandaluar shpërndarjen e virusit. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme