Edhe tenisi përgatit rikthimin, drejtuesit e ATP-së gati të miratojnë planin

Prishtinë | 04 Qer 2020 | 20:57 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesit e Federatës ATP po shqyrtojnë mundësinë për të rifilluar aktivitetet.

Krerët e kësaj federate kanë fiksuar datën 10 qershor për të vlerësuar situatën, pas periudhës së gjatë të ndërprerjes, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Në këtë mbledhje pritet të komunikohen vendime të rëndësishme që do të influencojnë ndjeshëm edhe pjesën e mbetur të sezonit, përsa i përket turneve që zhvillohen radhazi në fushat me dhe, duke filluar që nga Mastersi i Romës e deri te Slemi i Famshëm Parizien, që mbahet çdo vit në Kompleksin Roland Garros në kryeqytetin francez.

Sipas të përditshmes spanjolle Marca Federata ATP ka vendosur që të mbledhë sportistët në një videokonferencë pikërisht më datën 10 qershor, në orën 16:00, për t’i informuar tenistët në lidhje me vendimin që do të merret dhe masat që duhen respektuar për muajt në vazhdim, deri në mbylljen e këtij sezoni. Gjatë kësaj jave janë parashikuar shumë takime për të përcaktuar fatin e turit amerikan, që kulmon me turneun e madh të New York-ut, pra US Open që zhvillohet si zakonisht në Flushing Meadows dhe që është parashikuar të mbahet në kalendar nga data 31 gusht deri më 13 shtator.

Një vendim i tillë pritet padyshim që të kushtëzojë edhe gjithë aktivitetet që do të luhen në fushat me dhe të kuq, ku përfshihet natyrisht edhe turneu i rëndësishëm Roland Garros, që për momentin është zhvendosur në kohë, për t’u luajtur nga data 20 shtator deri më 4 tetor, sidoqoftë po shtohen gjithmonë e më tepër zërat që deklarojnë se ekziston mundësia për ta afruar turneun e famshëm parizien me një javë në kalendar. Lajmet e para pra në lidhje me mbarë – vajtjen e këtij sezoni pritet të mësohen më datë 10 qershor, ndërsa në mesin e këtij muaji, më saktë më datë 15 qershor është parashikuar që drejtuesit e Federatës ATP të dalin me një komunikatë zyrtare.

Nëse gjërat do të shkojnë sipas parashikimeve atëherë më datë 18 qershor do të jetë radha e trajnerëve për të diskutuar në lidhje me kushtet që duhen zbatuar nga tenistët që ata stërvisin, përpara rikthimit në fushën e lojës. Janë shtuar gjithashtu zërat edhe mbi një shtyrje të mundshme të dy turneve që zhvillohen në Shtetet e Bashkuara. Bëhet fjalë fillimisht për turneun Masters 1000 në Cincinnati, ndërsa në vazhdim të njëjtin fat pritet të ketë edhe Slemi Njujorkez. Sipas New York Times Federata e Tenisit e Shteteve të Bashkuara USTA që merret me organizimin e këtyre dy turneve i ka bërë një propozim konkret dy federatave respektive të meshkujve dhe femrave, pra ATP dhe WTA.

Idea e Federatës Amerikane të Tenisit është për t’i grumbulluar të gjithë tenistët pjesëmarrës për një periudhë 1-mujore në një vend të caktuar, për të lehtësuar aspektet ligjore përsa i përket masave të karantinës, në mënyrë që të reduktohen udhëtimet e sportistëve. Nëse plotësohet një kusht i tillë atëherë turneu i përvitshëm i Ohio-s në Cincinnati, që mbahet çdo vit në Mason, në Lindner Family Tennis Center, do të mund të zhvillohet brenda afatit të përcaktuar, nga data 17 deri më 23 gusht, duke evituar kështu rrezikun e shtyrjes apo qoftë edhe atë të anulimit si në rastin e turneut US Open, aktivitet për të cilin një vendim përfundimtar do të merret vetëm në fundin e muajit qershor.

Përpara Cincinnati-t është programuar turneu Masters i Torontos, ndërsa turneu korespondues i femrave që duhej të mbahej në Montreal është anuluar prej kohësh, pasi drejtuesit e Quebec-ut vendosën ndalimin e cdo lloj aktiviteti kulturor apo sportiv deri më datën 31 gusht. Në lidhje me turneun e Roland Garros-it, rekordmeni i këtij kompeticioni Rafael Nadal që e ka fituar “Kupën e Musketierëve” plot 12 herë në karrierë ka deklaruar se është entuziast për mundësinë e zhvillimit të këtij aktiviteti, por sidoqoftë 34-vjeçari spanjoll këmbënguli në faktin që do të zbresë për të luajtur në Paris vetëm nëse do të jenë kushtet e duhura dhe me një nivel të lartë sigurie për mbrojtjen e shëndetit të tenistëve pjesëmarrës.

“Mbreti i fushave me dhe” madje shtoi se është i gatshëm për të mbrojtur titullin në kryeqytetin francez, mjafton që të plotësohen këto kushte, për më tepër veterani iberik është dakord që të ndiqet shembulli i futbollit dhe të luhet edhe pa praninë e spektatorëve, por gjithsesi sipas tij nevojiten masa të rrepta sigurie dhe një protokoll me rregulla të forta, për të garantuar shëndetin e të gjithë tenistëve. /SS/

Të ngjashme