Ekipet e Bundesligës i kthehen stërvitjeve

Prishtinë | 06 Pri 2020 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Ekipet e futbollit të ligës elitare gjermane Bundesliga janë lejuar t’i kthehen stërvitjeve ekipore të hënën.

Ky lejim është bërë që klubet të ushtrojnë në grupe të vogla pas masave strikte për të parandaluar përhapjen e koronavirusi.

Futbolli në Gjermani është pezulluar për gati një muaj dhe ky pezullim do të mbetet në fuqi për dy kategoritë e para së paku deri më 30 prill.

Por, klubeve i është dhënë leje t’u kthehen stërvitjeve këtë javë, ku kampioni Bayern Muencheni ka vendosur që të ushtrojë lojtarët në grupe të vogla për të minimizuar rrezikun e infektimit.

“Qartë gjithë udhëzimet shëndetësore po ndjeken. Stërvitja është e mbyllur për publikun. FC Bayerni po i kërkon tifozëve të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet dhe iu lutet që të mos vijnë në qendrën stërvitore të klubit”, njofton klubi bavarez.

Numri i të infektuarve me COVID-19 është rritur në Gjermani në mbi 100 mijë këtë fundjavë, ndërsa afro 1 mijë e 600 kanë vdekur.

Përkundër fillimit të stërvitjeve, Liga e Futbollit Gjerman DFB e ka bërë të ditur në javën e kaluar se nuk dihet kur do të rinisë stinori, ndërsa ndalesa ka pasur efekte të mëdha financiare në klube, shkruan Reuters.

Dy javë më parë Borussia Dortmundi, Bayerni, RB Leipzigu dhe Bayer Leverkuseni janë bërë bashkë për të mbledhur 20 milionë euro në një fond solidariteti për të ndihmuar klubet në dy rangjet e para.

Dortmundi po ashtu ka ofruar një pjesë të stadiumit “Signal Iduna Park” për trajtim të rasteve të dyshuara me koronavirus.

Të ngjashme