Ekipet e kreut synojnë rinisjen e Superligës me fitore

Prishtinë | 06 Qer 2020 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Katër skuadrat e para të Superligës do të luajnë në vendase në xhiron e parë të rifillimit të garave të futbollit, që u pezulluan që nga mesi i muajit mars për shkak të përhapjes së pandemisë COVID-19.

Kampionati kosovar ka rifilluar të premten me ndeshjen ndërmjet Llapit dhe Dukagjinit, që edhe paralajmëroi rifillimin e elitës së futbollit. Të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit do të zhvillohen prapa dyerve të mbyllura dhe me rekomandimet e institucioneve përkatëse për të parandaluar përhapjen e pandemisë.

Ndeshjet e këtij vikendi, i takojnë xhiros së 23-të, në të cilët ekipet që po luftojnë për titullin e kampionit kanë përparësinë e terrenit vendas. Prej katër skuadrave të para, vetëm njëra do të luajnë të shtunën (sot), pasi tri të tjerat ndeshjet do t’i zhvillojnë një ditë më vonë, të dielën. Ballkani që është lider në tabelë me 44 pikë të grumbulluara, një më shumë se skuadra e Dritës (43) që renditet e dytë, shkruan KOHA.

Ndërkohë, vendin e tretë dhe të katërt e ndajnë Gjilani dhe Prishtina me nga 41 pikë. Në fakt, Ballkani e Prishtina tashmë kanë zhvilluar nga një ndeshje pas pauzës së detyruar nga pandemia e koronavirusit, pasi në fillim të kësaj jave u përballën me Feronikelin, përkatësisht Drenicës në kuadër të ndeshjeve të parë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

Përderisa Prishtina bëri një hap të madh drejt kualifikimit në finale pas fitores 3:0, Ballkani barazoi pa gola. Finalja e Kupës është e paraparë të luhet më 29 korrik pak ditë pas përfundimit të këtij edicioni në Superligën e Kosovës. Edicionin e ri, tri ekipe do ta përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane për herë të parë: kampioni në Ligën e Kampionëve dhe nënkampioni e fituesi i Kupës në Ligën e Evropës.

Të shtunën (sot), skuadra e Dritës e pret në shtëpi Flamurtarin, në ndeshjen që nis prej orës 16:00. Në të njëjtën kohë, të shtunën (sot), do të zhvillohet edhe përballja në Drenas ndërmjet Feronikelit dhe Vushtrrisë.

Te Drita e shohin si obligim fitoren ndaj Flamurtarit që po lufton për mbijetesë, pasi zë vendin e tetë në tabelë me 28 pikë për shkak se këtë edicion nga Superliga bien katër skuadra në Ligën e Parë. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu dëshiron që ekipi i tij të rinisë me fitore për të dhënë një sinjal të qartë se deri në fund të edicionit do të luftojë për titullin e kampionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme