Ekipet zvicerane qëndrojnë në shtëpi ndonëse u është lejuar që të ushtrojnë

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Ekipeve profesionale zvicerane të futbollit u është lejuar që prej të hënës të ushtrojnë, por shumica kanë preferuar që të qëndrojnë në shtëpi për shkak të paqartësive lidhur me atë se kur liga mund të vazhdojë dhe pas brengave nga unioni i futbollistëve.

Edhe në Zvicër futbolli është ndërprerë për shkak të koronavirusit, ndërsa skuadrat të hënën kanë mundur të ushtrojnë për herë të parë.

St. Galleni i Superligës dhe Grasshoppersi i kategorisë së dytë ishin skuadrat e vetme prej 20 sa janë gjithsej në dy kategoritë, që kanë konfirmuar se kanë mbajtur stërvitje të hënën.

Ligat në vende si Gjermania, Polonia, Hungaria dhe Portugalia ishin të shpejta për të njoftuar për rifillim pasi morën leje nga qeveritë, por Superliga e Zvicrës dhe kategoria e dytë, kanë qenë më të matura, njofton Reuters.

Parlamenti zviceran më 30 prill ka njoftuar se dy divizionet e para mund të rifillojnë prej 8 qershorit, por Superliga e Zvicrës ka thënë se rifillimi varet nga rezultati i bisedimeve me qeverinë federale për ndihmën ndaj klubeve të goditura.

“Ndihma e tillë financiare është një parakusht për të shmangur një situatë që kërcënon ekzistencën e futbollit profesional zviceran dhe rifillimin e lojës”, thuhet nga Superliga.

Superliga do të vendos për rifillim më 29 maj, ndërsa rifillimi nuk pritet të ndodhë para 20 qershorit.

Te Baseli, Young Boysi dhe Lugano kanë thënë se do të presin deri më 18 maj, ndërsa Thuni e Luzerni do të vazhdojnë më 25 maj. Zuerichu fillon më 28 maj.

“Pasi rifillimi i kampionatit është paraparë për 20 apo 21 qershor, ekipi i parë do të ketë kohë të mjaftueshme që të përgatitet si duhet për rifillim”, ka thënë presidenti i Zuerichut, Ancillo Canepa.

Sioni, Servette dhe Xamaxi nuk kanë dhënë ndonjë datë.

Ndërkohë unioni i lojtarëve ka thënë se nuk ka parë ende protokollin mjekësor që duhet të respektohet kur ndeshjet të rifillojnë.

Të ngjashme