Ekipi olimpik i Kosovës mbërrin në Lozanë

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 17:14 | Nga Ekonomia Online

Ekipi Olimpik i Kosovës është akomoduar në Fshatin Olimpik të Lojërave Olimpike Dimërore për të Rinj “Lozana 2020”, në të cilat Kosova do të marrë pjesë për herë të parë.

Vendin tonë do ta përfaqësojnë skitarët Drin Kokaj e Era Shala, të cilët do të garojnë në disiplinat e skijimit alpin: sllallom dhe sllallom të madh.

Të dy garuesit kanë zhvilluar sot stërvitjen e parë në Qendrën Skitare “Les Diablerets”, nën urdhërat e trajnerëve të Kombëtares së Kosovës: Feim Kollçaku e Bujar Turjaka.

Garuesit tanë nisin garat më 12 janar me disiplinën e sllallomit për femra, ndërsa disiplinat tjera zhvillohen të hënën (13 janar) dhe të martën (14 janar).

Sonte mbahet ceremonia hapëse, e cila zhvillohet në Palestrën Vaudoise Arena të Llozanës, që ka kapacitet prej 9600 ulësesh. Ceremonia fillon në ora 20:00.

LOD për të Rinj “Lozana 2020” do të vazhdojnë deri më 22 janar, ndërsa Ekipi ynë Olimpik kthehet më 16 janar.

Të ngjashme