Ekspertiza mjeko-ligjore: Astori mund të kishte shpëtuar

Prishtinë | 08 Qer 2018 | 11:37 | Nga

Davide Astori preku zemrat e mbarë Italisë me ndarjen e parakohshme nga jeta, por kur kanë kaluar mbi 3 muaj nga ngjarja që tronditi jo vetëm futbollin, kanë dalë edhe teza të reja mbi rrethanat e ngjarjes, raporton TCH.

Një detaj i zbuluar së fundi në ekspertizën mjekoligjore nga profesorët Carlo Moreschi dhe Gaetano Thiene, ekspertë të ngarkuar në detyrë nga prokurorja publike Barbara Loffredo, që kanë punuar prej një kohe të gjatë tashmë, hedh poshtë tezat e publikuara prej 4 marsit mbi atë se çfarë i ndodhi kapitenit të Fiorentinës, teksa gjendej në dhomën e tij të hotelit në Udine, përpara ndeshjes në “Friuli” mes Udinezes dhe Fiorentinës.

Sipas raportimeve u mësua se Davides i ishin ngadalësuar rrahjet e zemrës (bradiaritmia), deri në pushimin total të saj, gjë që praktikisht nënkupton që mbrojtësi 31-vjeçar mund të ketë vdekur në gjumë, por jo!

Siç lexohet në të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, detaji i zbuluar së fundmi ka të bëjë me atë që quhet si “takiaritmi”, që do të thotë përshpejtim i papritur i rrahjeve të zemrës, derisa ajo është ndalur.

Sipas ekspertëve, atë natë Astori mund të jetë zgjuar dhe ndoshta do të mund të shpëtohej nëse në dhomë do të kishte dikë të gatshëm për të dhënë alarmin. Dy profesorët mjekoligjorë theksojnë se bëhet fjalë për një episod të dhunshëm patologjik që ai nuk e ka shfaqur kurrë më parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme