Elseid Hysaj afër transferimit te Lazio

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 13:08 | Nga Ekonomia Online

Sipas raporteve në Itali, mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj është afër bashkimit me klubin kryeqytetas Lazio, si lojtar i lirë.

Maurizio Sarri është emëruar së fundmi trajner i ri i Lazios, duke ardhur si zëvendësues i Simone Inzaghit që kaloi te Interi.

Trajneri i ri tashmë ka filluar punën me Lazion dhe së fundmi ka disa emra lojtarësh që po lidhen me një transferim në Olimpico.

Sipas gazetarit të njohur italian Alfredo Pedulla, Hysaj është afër lëvizjes në Stadio Olimpico si një lojtar i lirë.

Reprezentuesi shqiptar do të largohet nga Napoli në fund të kontratës së tij më 30 qershor dhe është gati të bashkohet me ish-trajnerin e tij në Romë.

Sarri ishte trajner i Hysajt në Empoli dhe Napoli dhe mbrojtësi është i gatshëm të fillojë një magji të re me teknikun toskan në kryeqytet.

Pedulla raporton se takimi vendimtar midis lojtarit dhe klubit u shty për shkak se Presidenti i Lazios, Claudio Lotito po finalizon shitjen e klubit Salernitana, por lëvizja e mbrojtësit shqiptar nuk është në dyshim dhe do të njoftohet së shpejti. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme