Emery, favorit për stolin e Arsenalit

Prishtinë | 13 Maj 2018 | 14:12 | Nga

Trajneri i Paris Saint-Germain, Unai Emery, është në shqyrtim nga drejtuesit e Arsenalit si pasues i Arsene Wengerit dhe tani mendohet se është favorit për stolin e londinezëve.

Wenger ka konfirmuar largimin e tij nga Arsenali në fund të sezonit pas 22 viteve të kaluara te skuadra londineze dhe drejtuesit e klubit po shikojnë për pasuesin e tij.

Sipas mediumit britanik Sunday Express, Topçinjtë do të lëvizin për trajnerin e PSG-së, Emery, që po largohet pasi dyshja Luis Enrique dhe Max Allergi shprehën rezerva për strukturën e menaxhimit të klubit anglez.

Megjithatë, një pengesë e madhe mendohet të jetë paga e spanjollit që kërkon rreth 8.5 milion funte apo 9.6 milionë euro në vit për të kaluar në kryeqytetin anglez kur ai të largohet nga PSG.

Arsenali ka rezerva rreth pagës së kërkuar dhe me siguri nuk do të jetë i gatshëm të paguaj një shifër të tillë pas shpenzimeve të madha në janar.

Henrikh Mkhitaryan dhe Pierre-Emerick Aubameyang janë blerë dhe mesfushori gjerman Mesut Ozil gjithashtu ka nënshkruar një kontratë të re dhe ka shtuar faturën e shpenzimeve.

Emery arriti në PSG me një reputacion të fortë pasi udhëhoqi Sevillan për tri fitore të njëpasnjëshme të trofeut në Ligën e Evropës dhe gjithashtu luajti mirë me burime të kufizuara në Valencia.

Por në fund të fundit, spanjolli nuk ka qenë në gjendje të fitojë Ligën e Kampionëve që dëshirojnë pronarët e PSG-së nga Katar dhe për këtë do të largohet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme